Çka ndodhi në seancën kundër Zllatan Arsiq, polici kufitar i akuzuar për krime lufte

Zllatan Arsiq, polic kufitar i Policisë së Kosovës, u ul sot në bankën e të akuzuarve për t`u përballur me akuzat e Prokurorisë Speciale për krime lufte në Kamenicë.

Në seancën e sotme, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Boban Kasiq, fqinji i të akuzuarit, i ftuar për të dëshmuar nga mbrojtja.

Përmbajtja e dëshmisë së Kasiqit lidhej kryesisht me njohuritë e tij për angazhimin e të akuzuarit në luftën e fundit në Kosovë.

Sipas dëshmitarit, i akuzuari ishte rekrutuar në ushtrinë jugosllave në qershor të vitit 1998, ndërsa ishte kthyer nga ky shërbim në qershor të vitit 1999.

Ndërkaq, dëshmitari tha se i akuzuari kurrë nuk kishte qenë pjesë e Policisë së Serbisë.

“E di sigurt se ai kurrë nuk ka qenë pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, këtë e di 100%”- tha dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtës me avokatin Vasili Arsiq.

Duke u bazuar në këtë deklaratë dëshmitari tha se i dëmtuari Besim Muhaxheri e kishte “ngatërruar” personin i cili e maltretoi.

“I dëmtuari e ka gabuar njeriun, më vjen keq edhe mua për rastin që i ka ndodh të dëmtuarit, mirëpo e ka ngatërruar njeriun. Sepse e di sigurt se Zllatani nuk ka qenë polic, ndërsa i dëmtuari ka insistuar se atë e ka maltretuar një polic i Serbisë”- u shpreh dëshmitari Kasiq.

Një pjesë të dëshmisë ishte paraparë ta jepte edhe i dëmtuari Besim Muhaxheri, por që kjo u shty për seancën e radhës pasi që mbrojtja pretendoi se nuk e kanë pranuar dokumentin që përmban deklaratën e të njëjtit.

Këtë çështje po e gjykon trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Musliu- Selimaj me anëtarët Mentor Bajraktari dhe Musa Konxheli.

Ndërsa Prokurorinë Speciale në këtë rast po e përfaqëson Atdhe Dema.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 31 janar.

Dosja e Prokurorisë Speciale

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Zllatan Arsiq në korrik të vitit të kaluar, me të cilën të njëjtit i ka vënë në barrë akuza për krime lufte në zonën e Kamenicës.

Sipas aktakuzës, Zllatan Arsiq në marsin e vitit 1999 para bombardimeve të NATO-s, në stacionin policor në Kamenicë, me uniformë të policisë serbe e i armatosur, kishte rrahur dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore të dëmtuarin Besim Muhaxheri.

Aktakuza thotë se Arsiq këtë e kishte bërë në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe.

Kështu, ai akuzohet se duke qenë në veturë policore e kishte ndaluar të dëmtuarin dhe i është drejtuar me fjalët “Ku po i dërgon këto cigare”,  “UÇK-së po ja dërgon”, “Tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret”.

Pasi që e kishin detyruar të shkojë me biçikletë në stacionin policorë në Kamenicë, sipas aktakuzës, e kanë goditur me shufër gome, shqelma dhe grushta në pjesë të ndryshme të trupit për plot një orë e gjysmë.

Akti akuzues thotë se i dëmtuari Muhaxheri është torturuar në mënyrë çnjerëzore ku ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe traumë.

Përveç këtij rasti, Zllatar Arsiq po akuzohet se ka marrë pjesë në dëbimin e qytetarëve të Kamenicës në periudhën shkurt deri mars të vitit 1999.

Tutje, aktakuza thotë se së bashku me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe kanë filluar të bëjnë plaçkitjen dhe djegien e shtëpive të shqiptarëve.

Sipas aktakuzës, disa ditë pasi që kishte ndodhur torturimi i të dëmtuarit, Arsiq është takuar me të dëmtuarin në oborrin e shtëpisë së tij, shtëpi e cila ishte djegur pas dëbimit të të dëmtuarit.

Takimi kishte ndodhur në oborrin e kësaj shtëpie, e që sipas aktakuzës Arsiq e kishte goditur me shuplakë të dëmtuarin dhe ia kishte vendosur tytën e armës automatike në fyt duke e kërcënuar për ekzekutim.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK