Çka biseduan Kurti dhe Lajçak?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Forumit Strategjik të Bledit është takuar edhe me Miroslav Lajçakun, përfaqësues special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor.

Sipas komunikatës së Qeverisë, në takim u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Përendimor si dhe perspektivën evropiane të rajonit.

Po ashtu, thuhet se u bisedua për takimet e kaluara të mbajtura në Bruksel si dhe përgatitjet për takimin e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tutje Kurti riktheksoi në takim se dialogu duhet të jetë i drejtë dhe parimor në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve dhe paqes e sigurisë së qëndrueshme e të përgjithshme.

“Ai konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së, ndërsa shprehu besimin se reformat e brendshme të Bashkimit Evropian dhe zgjerimet e jashtme janë të domosdoshme për njëra-tjetrën”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në korrik, por pa shënuar ndonjë përparim në bisedime.

Një takim i ri midis tyre është paralajmëruar për këtë muaj, por data nuk është caktuar ende.