Çipsat nga Serbia me përmbajtje të lartë të akrilamidit, deklarohet AUV në Kosovë
Sistemi i alarmit të shpejtë për ushqimin i BE-së – RASFF, ka treguar se nga shteti i Kroacisë kanë pranuar një njoftim për përmbajtje të lartë të ‘akrilamidit’ në patate të skuqura me aromë speci nga Serbia.
RASFF është sistem që u krijua për të siguruar shkëmbimin e informacionit midis vendeve anëtare të BE-së për të mbështetur reagimin e shpejtë nga autoritetet e sigurisë ushqimore në rast të rreziqeve për shëndetin publik që vijnë nga zinxhiri ushqimor.
Lidhur me këtë KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, i cili ka thënë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë lajmërim nga RASFF.
“Në tregun e Kosovës nuk ka çipsa të loteve të dyshimt në përmbajtje sipas njoftimeve në media. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë deri me tani nuk ka pranuar notifikim (lajmërim) nga sistemi RASFF, për dyshime apo rrezik në produktet e prodhuesit të çipsave nga CHIPS WAY D.O.O, të prodhuesit nga Çaçaku-Serbi për prezencë të Acrylamideve” – ka thënë Thaçi.
Ai tha se nëse do të kishte dyshime për produktet që kanë qenë të destinuara për tregun e Kosovës, lajmërimi do të ndahej me AUV-in, ashtu sikurse ka ndodhur në rastet e tjera.
Thaçi tutje tha se me qëllim të informimit të konsumatorëve, nga të dhënat e kontrollit kufitar, furnizimit i tregut te Kosovës ndër vite ka pasur disa përfaqësueses-importues.
“Mirëpo brenda vitit 2023, në të dhënët e sistemit te AUV-së mund të konfirmojmë se janë realizuar vetëm tri importe nga prodhuesi në fjalë nga një importues i vetëm” – ka thënë ai.
Thaçi gjithashtu tha se është me rëndësi të theksohet se importi i fundit është realizuar më datën 29 prill 2023.
“Ndërsa notifikimi për produkte të kontaminuara është pranuar: Date of notification 02-08-2023 16:17:39” – shtoi Thaçi.
“AUV sipas Planit te Kontrolleve Zyrtare, monitoron dhe mbikëqyrë rregullisht sipas vlerësimit të rrezikut, të gjithë Operatorët e Biznesit me Ushqim, qoftë për produkte importi apo vendore. Me qëllim të heqjes së dilemave dhe informimit të saktë të konsumatorëve/heqjes së dyshimeve për produkte të kontaminuara, pas qarkullimit të informatave në media, ne kemi ngritur nivelin e gatishmërisë për veprim” – vazhdoi tutje ai.
Thaçi tutje tha se në momentin që pranohet informim zyrtar nga RASFF, inspektorati i AUV është i gatshëm për veprim.
Ai shtoi se me informata e deritanishme nuk ka dyshime për produktet që eventualisht ende mund të ketë në treg nga ky prodhues për shkak se nga data 14 qershor 2023 sipas urdhërit nuk është lejuar asnjë import i produkteve me origjinë nga Serbia, ai shtoi se ky urdhër është ende në fuqi.
“Në anën tjetër importi i fundit me produkte nga ky prodhues është realizuar më datën 29 prill 2023, ndërsa notifikimi për produkte të kontaminuara është pranuar: Date of notification 02-08-2023 16:17:39. Të cilat kanë datë prodhimi pas datës kur është importuar ngarkesa e fundit” – shtoi Thaçi.