Foto: Kallxo.com

Cila ishte oferta e Kurtit që u refuzua nga LDK?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës mbrëmë e ka refuzuar ofertën e fundit që LVV ia ka bërë.

Kjo ofertë sipas Kurtit është bërë që nesër të seancën konstituive të mos shkohet pa marrëveshje për qeverinë.

Kurti tha se këtë ofertë e ka bërë më 23 dhjetorë 2019 dhe dje ka marrë refuzimin për të nga LDK.

3 pikat të cilat u propozuan nga Kurti janë si në vijim:

1.Dihet që Vetëvendosje si parti e parë i takon Kryetari i Kuvendit dhe Nënkryetari i parë. LDK-së i takon Nënkryetari i Dytë. Le ta bëjmë rokadën midis Kryeparlamentarit dhe Nënkryetarit të Dytë të Kuvendit: Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq Nënkryetarin e Dytë VETËVENDOSJE!. Kësisoj, LDK e ka Kryeparlamentarin kurse VETËVENDOSJE! dy nënkryetarë të Kuvendit.

  1. Çështjen e Presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo, nëse LDK insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: MPB, e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-së për kandidatin për President, bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij/saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosje!.
  2. Sipas kërkesës së LDK, MKRS ndahet, me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq, Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe e marrin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe Ministrinë për Komunitete.

Kurti poashtu ka konfirmuar se bisedimet për koalicion qeveritar me LDK-në nuk kanë prodhuar marrëveshje.

“Është obligimi imi moral e politik, shtetëror e kombëtar, që në seancën inauguruese të legjislaturës së 7 do të shkomë pa dakordim për qeveri. Marrëveshjes për programin qeverisës nuk kemi mundur t’ia bashkangjesim edhe atë për ndarjen e përgjegjësive. Oferta ime e parmbrëmshme u refuzua dje”, tha Kurti.

VIDEO – Albin Kurti konfirmon dështimin e bisedimeve për koalicion me LDK-në