Derek Chollet - Foto: ZKM

Chollet e Escobar ritheksojnë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një vështrim për Koha.net, ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

“Zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj” – shprehen zyrtarët amerikanë.

“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”- kanë thënë ata.

Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.

“Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për t’i bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si: arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse”, thuhet në qëndrimin e SHBA-së për Asociacionin.

Tutje Chollet e Escobar kanë thënë se Asociacioni nuk do t’ia shtonte Qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

“Një Asociacion i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte njëetnik. Këto do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet e tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë – të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen”- kanë thënë tutje ata.

Atë kanë ritheksuar se besojnë se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike.