Haki Rugova. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çfarë thoshte Haki Rugova e vëllai i tij Ganiu për aksionet në kompaninë familjare 'Macon'? - VIDEO

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës, bashkë me dy bashkëpunëtorë të tjerë të Komunës nën dyshimin për konflikt interesi dhe dokumente të falsifikuara.

“Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar për tenderët që kompania familjare e kreytarit Haki Rugova kishte fituar në Komunën e Istogut, e ku sipas deklarimit të pasurisë, përqindje në kompani kishte edhe vet kryetari Haki Rugova.

“Unë nuk jam pronar në ‘Macon’, s`kam asnjë aksion, prej momentit që kam kandiduar si kryetar komune, unë s`kam aksione”, kishte deklaruar Rugova në një intervistë dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Kur ai ishte pyetur se aksionet e tij në këtë kompani edhe pasi e ka pranuar detyrën e kryetarit, pra pas vitit 2010 i ka të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsion, ai sërish e kishte mohuar.

““Shans  s`ka, tashti ajo punë nuk po më kujtohet, por unë nuk kam pasur, nuk kam kurrfarë të hyra nga kjo kompani për vite të tëra. Të dhënat në antikorrupsion sigurisht që unë vetë i deklaroj, por s`jam aksionar në kompani”, thoshte Rugova.

Njëri nga bashkëpronarët e kompanisë, vëllai i kryetarit, Gani Rugova thoshte se ai i jep ‘sa të dojë’, sepse e ka vëlla.

“Në dokumentacionin e firmës, firma është e përbërë prej dy pjesëtarëve, jam unë edhe është Ismeti, Hakia nuk figuron si bashkëpronar i firmës. Aksionet çka ka, çka i jap unë vëllait tim- ajo është çështje imja. Bën vaki edhe më shumë i jap, jo 15 por 20 për qind, sepse e kam vëlla”, deklaronte Gani Rugova, vëllai i kryetarit Haki Rugova.