Foto ilustruese: Pixabay

BQK tregon se çfarë ndodhë nëse klientët e 'Monego' dhe 'Iute Credit' vonohen në kthimin e kredive

Klientët të cilët kanë marrë kredi nga institucioni mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo” dhe institucioni financiar jobankar “Monego”, do t’i kthejnë kreditë sipas kontratës së nënshkruar, ku çdo vonesë në pagesën e kësteve ndikon në rritjen e këstit.

Këtë e ka konfirmuar Banka Qendrore e Kosovës (BQK) pas  vendimit që e ka marrë për t’ia revokuar regjistrimin dhe inicimin e procedurave të likuidimit për këto dy institucione.

“Gjithashtu, kreditë e marra nga klientët tek këto institucione duhet të kthehen, bazuar në kushtet e kredisë dhe afatet siç specifikohet në kontratën e nënshkruar nga kredimarrësi dhe kredidhënësi, ku çdo vonesë në pagesën e kësteve ndikon në rritjen e këstit”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Pas marrjes së vendimit, BQK-ja ka caktuar likuidatorët në dy institucionet e lartpërmendura, të cilët do të vazhdojnë punën e tyre bazuar në ligjet dhe rregulloret që janë në fuqi.

Më 6 dhjetor, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka bërë të ditur lajmin për mbylljen e ‘Monego’ dhe ‘Iute Credit’. Në këtë konferencë u tha se arsyeja kryesore për revokim të regjistrimit ishin normat e interesit në kredi, të cilat ishin jashtë çdo standardi.

“Devijimi më shqetësues ka të bëj me normën e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë rezultu të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në planin e tyre të biznesit, dhe me mesataren e normave të tjera të interesit në Kosovë”, ka deklaruar Mehmeti.

Zv.Guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli numëroi edhe arsyet e tjera që ka sjellë deri në marrjen e këtij vendimi të BQK-së.

Bazuar në planin e pagesave të bashkëngjitur te kontratat me klientë është vërtetuar se shpalosja e normës efektive të interesit nuk bëhet në pajtueshmëri me rregulloren e BQK-së për shpalosjen e normës efektive të interesit.

Havolli ka thënë se “Monego” ka përllogaritur koston totale të kredisë dhe në kontratë me klientë ka shpalosur normën efektive të interesit sipas përllogaritjeve sikur të ishte normë nominale e interesit përderisa rregullorja e BQK-së kërkon që në kontratë me klientë të jenë të paraqitura normat efektive të interesit.

Për më shumë, likuidatorët kanë vendosur informatat nëpër degët e institucioneve përkatëse se ku klientët mund t’i paguajnë këstet.

Në vijim iu sjellim informacionet se ku mund të drejtohen klientët dhe mediat për çdo informacion që lidhet me dy institucionet.

IMF “Iute Credit Kosovo”

Likuidator: Eduard Bakija

Adresa: Rr.Bill Klinton Mulliri i Praskut, Objekti A2, Ll.B 1, Lokali 2

Telefon: 038 406080

E-mail: [email protected]

Të gjitha pagesat (këstet) sipas marrëveshjeve kreditore (kontratave) mund të bëhen në institucionet financiare:

  • Posta e Kosovës
  • Moneta-Moneygram
  • Ria Capital
  • Vllesa-CO

IFJB “Monego”

Likuidator: Visar Zeneli

Adresa: Mbreti Zogu I, Nr. 2, Prishtinë

Telefon: 0800 777 88

Email: [email protected]

[email protected]

Të gjitha pagesat (këstet) sipas marrëveshjeve kreditore (kontratave) mund të bëhen në institucionet financiare:

  • Banka për Biznes (BPB) 1300001500011968
  • Posta e Kosovës
  • Western Union
  • Vllesa-CO