Pse u mbyllën 'Monego' dhe 'Iute Credit'?

Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sot ka marrë vendim për mbylljen e institucionit financiar jo bankar “Monego” dhe institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”.

Këtë e ka bërë të ditur guvernatori i BQK së, Fehmi Mehmeti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

“Sot Bordi i BQK së duke u bazu në kompetenca ka vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të inicojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit” dhe institucionin financiar jo bankar “Monego”. Gjatë këtyre viteve kanë devijuar nga planet e biznesit”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti ka thënë se në kohën kur këto dy institucione, “Monego” dhe “Iute Credit” kishin aplikuar për licencë në BQK, kishin dorëzuar një plan biznesi nga i cili këto vite ato kanë devijuar vazhdimisht.

Devijimi më shqetësues sipas Mehmetit është norma e lartë e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë qenë shumë më të larta nga ato që i kishin paraparë.

“Gjatë këtyre viteve të operimit të tyre në Kosovës këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga këto plane të biznesit duke i sjell tregut diçka tjetër nga ajo që kishin premtuar. Devijimi më shqetësues ka të bëj me normën e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi të cilat kanë rezultu të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në planin e tyre të biznesit, dhe me mesataren e normave të tjera të interesit në Kosovë”, ka deklaruar Mehmeti.

Ndërsa zv.guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ka numëruar arsyet për të cilat këtyre dy institucioneve, “Monego” dhe “Iute Credit” iu është tërhequr licenca. Ai ka treguar se BQK ka kryer dy ekzaminime të fokusuara në institucionet “Monego” dhe “Iute Credit”.

Bazuar në planin e pagesave të bashkëngjitur te kontratat me klientë është vërtetuar se shpalosja e normës efektive të interesit nuk bëhet në pajtueshmëri me rregulloren e BQK-së për shpalosjen e normës efektive të interesit.

Havolli ka thënë se “Monego” ka përllogaritur koston totale të kredisë dhe në kontratë me klientë ka shpalosur normën efektive të interesit sipas përllogaritjeve sikur të ishte normë nominale e interesit përderisa rregullorja e BQK-së kërkon që në kontratë me klientë të jenë të paraqitura normat efektive të interesit.

“Që nënkupton koston totale të kredisë të paraqitur si normë vjetore e vlerës totale të kredisë llogaritur sipas metodologjisë të paraqitur në rregulloren në fjalë”, ka thënë Havolli.

Gjithashtu në përllogaritjen e normës efektive të interesit të shpalosur si normë efektive, sipas Havollit, “Monego” ka marrë për bazë 360 ditë të vitit kalendarik ndërsa rregullorja e kërkon të llogaritet në raport me 365 ditë.

“Institucioni nuk ka përgatitur metodologjinë për llogaritjen e normës së interesit bazuar në rregulloren e BQK-së për normën efektive të interesit dhe kërkesat për shpalosje, rregullore kjo që përcakton se norma efektive e interesit llogaritet sipas formulës matematikore të paraqitur në aneksin 1 të kësaj rregullore”, është shprehur Havolli.

Havolli ka treguar se në planin e biznesit “Monego” kishte ofruar një normë të interesit prej 26% ndërsa “Iute Credit” prej 34%.

Bazuar në mostrën e kredive të ekzaminuara, sipas rregullores së BQK-së, norma efektive e interesit për kredi të caktuara te “Monego” ka arritur në 1987 % përderisa institucioni e ka shpalosur si normë e interesit prej 462%.

“Pra norma efektive e interesit do të duhej të ishte në 845% ndërsa në rastin tjetër institucioni e ka shpalosur si 308%. Pra llogaritja ka rezultuar në nënvlerësim të normës efektive në raport me klientin. Na planin e biznesit të dorëzuar norma efektive e interesit ka qenë 26.8%, kjo përqindje është paraqitur në BQK me qëllim të marrjes së licencës”, ka thënë Havolli.

Havolli ka thënë se BQK ka ndërmarrë masa administrative duke shqiptuar gjobë monetare si dhe duke dhënë urdhër për të zbatuar planin e biznesit të paraqitur me rastin e licencimit në BQK.

“Disa prej rekomandimeve janë zbatuar mirëpo rekomandimi kryesor, urdhri për zbatim të planit të biznesit përmes të cilit janë pajisur me regjistrim në BQK nuk është zbatuar dhe kjo ka sjellë nevojë që kjo të vërtetohet përmes ekzaminimit të dytë. Megjithëse ka pasur reduktim të normave të interesit ato kanë vazhduar të jenë në mes 80 dhe 236% në mostrat të cilat ne i kemi vlerësuar, shumë larg nga ajo që është paraqitur në planin e biznesit”, ka përfunduar Havolli.

LIVE: Konferencë e Bankës Qendrore të Kosovës

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 6 décembre 2019

.