UBO Consulting: Kosovarët kundër lejimit të pjesëmarrjes vullnetare në luftën Ukrainë-Rusi

Nga 1 mijë e 65 qytetarët që janë pyetur nëse duhet të lejohet pjesëmarrja vullnetare e kosovarëve në luftën Ukrainë-Rusi, shumica nga ta janë përgjigjur me “Jo”.

Kështu ka treguar hulumtimi i kompanisë së hulumtimeve dhe të konsulencës biznesore, UBO Consulting që është bërë në 38 komuna të Kosovës.

Kjo kompani ka treguar se nga të anketuarit, 17.9% janë përgjigjur se pjesëmarrja vullnetare e kosovarëve në luftën Ukrainë-Rusi duhet lejuar, 68.7% janë përgjigjur jo, ndërsa 13.4% nuk e di.

UBO Consulting ka treguar se në bazë të grupmoshave përgjigja “jo” ka qenë më së shumti nga qytetarët 35-44 vjeçar.

“Sipas etnive, shqiptarët janë përgjigjur 18.3% po, 68.1% jo dhe 13.7% nuk e di, serbët 2.3% po, 88.4% jo dhe 9.3% nuk e di, ndërsa minoritetet tjera 25.6% po, 62.8% jo dhe 11.6% nuk e di”, është thënë në hulumtimin e UBO-së.

Kujtojmë se para disa ditësh, dy persona që pretendojnë se janë nga Suhareka janë parë në kufirin Poloni-Ukrainë dhe të njëjtët kanë thënë se janë nisur Ukrainës për të luftuar.

KALLXO.com ka raportuar se Prokuroria Speciale në Kosovë ka nisur tashmë grumbullimin e informacioneve për këta dy kosovarë.

Në një bisedë telefonike, Kryeprokurori Special, Blerim Isufaj kishte thënë për KALLXO.com se kanë nisur puna për këtë çështje.

“Ne kemi me e trajtu së pari faktin se a është e vërtet apo jo, mirëpo në këtë fazë nuk mundemi me thanë asgjë”, tha Isufaj duke shtuar tutje se Ligji në Kosovë ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve kosovar në luftëra të huaja.

“Ligji e ndalon pjesëmarrjen”, u përgjigj shkurt Isufaj.

Policia e Kosovës e kishte konfirmuar për KALLXO.com se të njëjtit janë duke grumbulluar informacione për këtë rast.

“Ju njoftojmë se njësia relevante e Policisë së Kosovës është në fazën e grumbullimit dhe verifikimit të informacionit në fjalë, dhe bazuar në kodin e procedurës penale do të bashkëpunohet me prokurorinë përkatëse lidhur me këtë çështje”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

KALLXO.com është interesuar prapë për të parë se çfarë hapa tjerë janë marr nga Policia lidhur me këta dy persona, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marr përgjigje.

Po ashtu, KALLXO.com ka biseduar para disa ditësh me deputetë të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Siguri, të cilët nuk e kanë përjashtuar mundësinë që Ligji që parandalon qytetarët kosovarë të marrin pjesë në luftëra të huaja, të ndryshohet.

Disa shtete evropiane kanë lejuar qytetarët e tyre që në rast se dëshirojnë, mund t’i bashkohen ushtrisë ukrainase në luftë me Rusinë.

Madje edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, kishte bërë thirrje publike për të gjithë shtetasit e huaj që janë “miq të paqes dhe demokracisë” që të udhëtojnë në Ukrainë dhe të luftojnë krahë ushtrisë ukrainase kundër Rusisë.

Prokuroria Speciale nis grumbullimin e informacioneve për dy kosovarët që u nisën drejt Ukrainës