Borrell: Dialogu jo i lehtë, por i domosdoshëm

Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, pak para takimit Kosovë-Serbi në Bruksel, ka thënë se e di që dialogu nuk është i lehtë, por e ka parë si të domosdoshëm për të ardhmen e dy vendeve.

“Sot bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçakun, do të organizojmë një takim të ri të nivelit të lartë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Jam i lumtur që po ndodh në të njëjtën kohë kur BE-ja takohet me presidentin amerikan Joe Biden. Është kënaqësi të pres në Bruksel, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit, jo larg pas takimeve të shkuara. Inkurajoj të dy palët të vazhdojnë dialogun pa vonesa e të fokusohen në rezultate pavarësisht të gjitha vështirësive. Dialogu s’do të jetë i lehtë, por procesi është i domosdoshëm për popujt e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai në konferencën para takimit.

Borrell tutje ka thënë se është momentum i ri dhe duhet ta shfrytëzojmë.

“Dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt të ardhmes evropiane. Në të njëjtën kohë, ka sjellë rezultate të rëndësishme për popujt. BE-ja dhe unë jemi të interesuar të shohim progres të shpejtë e të lëmë të kaluarën prapa, të arrijmë marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe të bëjmë të ardhmen evropiane një realitet. Është momentum i ri dhe duhet ta shfrytëzojmë. Është momentum i ri në BE për të Ballkanin Perëndimor. Është mundësi për të gjithë rajonin. Jo vetëm për Kosovën e Serbinë sepse marrëveshja mes tyre është në të mirë të stabilitetit të përgjithshëm rajonal”, ka shtuar ai.

Në orën 10:30, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Borrell do të ketë takime bilaterale, të ndara fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e pastaj edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërsa, një tryezë e përbashkët plenare është planifikuar për orën 11:00. Në orën 12:30 është paralajmëruar një konferencë për media e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Prishtinë–Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak./RTV21