Bordi i katërt drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës. Foto: Ministria e Shëndetësisë, 3 maj 2023

Bordi i ShSKUK-së nuk aprovon raportin 6-mujor të punës, për shkak të performancës së keqe

Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës nuk e ka aprovuar raportin 6 mujor të punës janar – qershor 2023 të ShSKUK-së, me arsyetimin se performanca nuk ka qenë e mirë dhe se është keqmenaxhuar institucioni.

Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi ka konstatuar se performanca e ShSKUK-së gjatë kësaj periudhe ka qenë e keqe, nuk janë shfrytëzuar kapacitetet, është tentuar të fshihet mospuna dhe se ka pasur keqmenaxhim të parasë publike në spitale të përgjithshme.

U konstatua po ashtu se sipas përqindjeve, klinikat kanë perfomuar më mirë se sa spitalet e përgjithshme. Kjo, sipas Bardiqit është për shkak se ato ofrojnë edhe shërbime dytësore edhe tretësore.

Prandaj, në mbledhjen e sotme, Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi rekomandoi mosaprovimin e këtij raporti që pasqyron punën e institucionit.

Unanimisht, kryesuesi dhe 5 anëtarët e tjerë, Dren Boshnjaku, Tetore Olloni, Enver Gashi, Besim Demolli dhe Vjollca Kadolli votuan për mosaprovimin e raportit. Anëtarja e shtatë, Rrezarta Bajrami nuk ishte e pranishme në këtë mbledhje.

Përveç pakënaqësisë ndaj performancës, menaxhmenti disa herë ka ngritur dyshime edhe për vërtetësinë e shifrave të raportuara nga njësitë organizative të ShSKUK-së.

Madje, Bardiqi në mbledhjen e kaluar ka thënë se duhet të bëhet auditim te personat që kanë nxjerrë këto statistika.

Në njërën prej mbledhjeve të bordit në tetor, Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi pati thënë se shifrat nuk janë prezantuar ashtu siç duhet dhe se transparenca brenda institucionit nuk është në nivel të duhur.

Raporti final 6-mujor ka pësuar ndryshime të rëndësishme nga ai fillestari që ishte prezantuar para Bordit, i cili ka përmbajtur të dhëna të pasakta, duke paraqitur si aktivitete të përfunduara, aktivitete që as nuk janë nisur.

Pas raportimit në media për këto mospërputhje mes raportit dhe realitetit, Bordi dhe Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi ka kërkuar nga hartuesi i raportit, Sali Bllaca që të bëjë verifikimin e të dhënave dhe t’i përmirësojë ato. Azizi ka marrë këtë pozitë më 5 korrik.

Ndonëse në mbledhje ishte prezantuar si raport, në përgjigje për KALLXO.com drejtoria pati thënë se ai ka qenë draft-raport.

Në mbledhjen e javës së kaluar, drejtori tha se raporti final nga ai fillestar ka ndryshuar në mënyrë drastike.

“I kemi vërejt gabimet që janë bërë, ka qenë tjetër menaxhment, i kemi bërë përmirësimet me një grup punues dhe me të gjithë zyrtarët e njësive” – është shprehur Azizi.

Versioni i parë ka paraqitur 16 aktivitete më shumë si të përfunduara, se sa realisht janë.

Përderisa versioni i parë i raportit thoshte se nga 58 aktivitete të planifikuara, 34 prej tyre janë përfunduar, 18 janë në proces e 6 të papërfunduara.

Versioni final thotë se janë përfunduar vetëm 11 aktivitete, janë në proces 33 e janë të papërfunduara 14 sosh.

Lidhur me këtë gjendje, bordi ka kërkuar nga drejtori që të marrë masa dhe të ketë pasoja për personat përgjegjës.

Udhëheqësi i këtij institucioni pati kritika edhe për planifikimin e menaxhmentit paraprak duke thënë se kanë vendosur objektiva të paarritshme.

Menaxhmenti aktual i SHSKUK-së është ankuar në vazhdimësi se drejtorët e klinikave, spitaleve dhe njësive të tjera organizative nuk dinë të raportojnë dhe se raportet 3-mujore janë vonuar.

Hartuesi i raportit 6-mujor të punës së SHSKUK-së, Sali Bllaca pati thënë se ka raste që menaxherët e njësive nuk e dinë as se çfarë shërbime ofrojnë.

Në 6-mujorin e parë të vitit, ShSKUK është udhëhequr nga dy ushtruese të detyrës, nga Pranvera Zejnullahu – Raçi deri më 26 janar e më pas nga Narqize Arenliu – Hoxhaj.

Zejnullahu – Raçi pati dhënë dorëheqje, ndërsa Arenliu – Hoxhaj ka udhëhequr institucionin deri në ardhjen e drejtorit të ri, më 5 korrik, i cili është zgjedhur përmes konkursit publik.