Bordi i RTK-së me vërejtje e kritika ndaj drejtorit Ahmetxhekaj

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka mbajtur më 23.05.2024 mbledhjen e radhës me dy pika të rendit të ditës, adresimin e vërejtjeve të ngritura nga Bordi në vendimin e miratimit të raportit vjetor 2023 dhe diskutim lidhur me veprimet e ndërmarra nga drejtori i përgjithshëm lidhur me rastin e shqetësimeve të ngritura ndaj drejtorit të Radio Kosovës.

Më 17.04.2024 Bordi i RTK-së kishte miratuar me disa vërejte raportin vjetor të drejtorit të përgjithshëm, ndër to për moszbatimin me efikasitet dhe seriozitet të rregullores për parandalimin e konfliktit të interesit.

Drejtori i përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj tha se nuk ishte pajtuar me vërejtjet e dhëna nga Bordi dhe vazhdon të mos pajtohet.

Sa i përket zbatimit të rregullores për parandalimin e konfliktit të interesit, Ahmetxhekaj tha se tre persona janë larguar nga puna për shkak të deklarimit të rrejshëm të konfliktit të interesit apo që nuk kanë pranuar të heqin dorë nga puna tjetër.

“Nuk jam pajtu me vërejtjet as kur i keni dhënë sepse këto janë pjesë e punës së përbashkët. Sa i përket pjesës së konfliktit të interesit, nuk po besoj që ka ndonjë institucion që ka punë më shumë se RTK, në këtë drejtim. Tre persona janë largu nga puna për shkak të deklarimit të rrejshëm të konfliktit të interesit apo që nuk kanë pranu me heq dorë nga puna tjetër. 16 rekomandime janë dhënë për konflikt të interesit të mundshëm”- tha ai më 23.05.2024.

KALLXO.com kishte raportuar për një punonjëse të Radio Kosovës e cila është njëkohësisht edhe asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Për këtë drejtori Ahmetxhekaj tha se punonjëses i është dërgu njoftimi se duhet të zgjedh në mes vendit të punës në RTK dhe pozitës në Kuvendin Komunal, por që ende nuk është zgjedh si çështje për shkak se e njëjta është në pushim mjekësor.

“Të gjithë punonjësit tashmë kaneë deklaru konflikt interesi, në bazë të dhënave që i kemi nga zyrtari. Për këshilltarët komunal për një rast që e kemi në Radio Kosovë i është dërgu njoftimi që duhet të marrë vendim ose të punojë në RTK Radio ose të zgjedhë asamblenë, por nuk është zgjidhur ende sepse ajo është në pushime të vazhdueshme”- tha Ahmetxhekaj.

Anëtarja e bordit të RTK-së, Fatime Lumi Qehaja tha se raporti në lidhje me konfliktin e interesit është i mangët dhe gjysmak.

Lumi- Qehaja theksoi shqetësimin për mosarsyetimin (në këtë raport) e rasteve të cilat janë mbyllur pas trajtimit për konflikt të mundshëm të interesit.

“Çka unë kam shqetësim ka të bëjë me rregulloren që Bordi e ka miratu qysh në 2022-tën dhe kjo nuk po zbatohet. Dhe që ne po duhet me ngrit në vazhdimësi këtë çështje dhe ende vazhdon me pas dilema. Për mua raporti ka qenë gjysmak dhe shumë i vonuar por nuk dua të ja hup vlerën. Është i mangët sepse nuk ka dëshmi që me çfarë nene apo me çfarë baze e ka mbyll komisioni një rast të konfliktit të interesit ”- tha ajo.

Kritikë e shqetësim të njëjtë pati edhe nënkryetarja e bordit, Albulena Mehmeti.

“Nuk po e shoh asnjë bazë ligjore për këta emra që janë vendos në raport”- tha ajo.

Vërejtje nga Bordi, drejtori gjeneral i RTK-së kishte marrë edhe për mosfunksionalizimin e njësisë për ‘Fact-checking’.

Ai tha se tashmë është caktu një ekipë e re e cila do të jetë pjesë e kësaj njësie, pasi që një ekipë tjetër sipas Ahmetxhekajt, kishte dështuar ta realizoj atë.

Kritika Bordi i RTK-së pati edhe për departamentin e marketingut duke kërkuar masa pasi sipas tyre nuk ka përmbushur planin e parashikuar.

“A duhet të presim ende për të marrë një veprim për departamentin e marketingut? Cilat janë masat që janë marrë që nga vërejtja e jonë”- pyeti anëtarja, Albulena Mehmeti.

“Nuk pajtohem sepse ‘cash’ kanë qenë 650 mijë euro të hyra nga marketingu se e kemi arrit objektivin që e kemi caktu… Jemi të vetëdijshëm që këtë katër mujor janë të ulëta, nuk po besoj që duhet me u ndëshku dikush pa arrit gjysma e vitit”- u përgjigj Ahmetxhekaj.

Por anëtarja e bordit, Fatime Lumi- Qehaja tha se departamenti i marketingut nuk e ka përmbushur planin e parashikuar për 2023.

“Në raportin financiar nuk është sqaru qysh e ka arrit planin. Departamenti i marketingut nuk e ka përmbush planin sepse nëse ja shton edhe sponsorizimit mundet edhe me u tejkalu por kjo është tjetër. Nuk mundesh me thënë u arrit planifikimi nëse nuk janë planifiku. Të hyrat nga sponsorizimi nuk mund të realizohen në bazë të rregullores nga marketingu”- tha ajo.

Në mbledhjen e 23.05.2024 Drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj njoftoi se i ka shqiptuar vërejtje drejtorit të Radio Kosovës, Arsim Halilit.

Kjo pasi udhëheqësja e zyrës ligjore të RTK-së, Zana Spahiu, kishte dërguar email në Bord, e cila akuzonte drejtorin Halili për presion të drejtpërdrejtë ndaj saj, presion psikologjik në vendin e punës me ngritje të zërit, përplasje të tavolinës dhe elemente të dhunës verbale.

Për sjellje jo profesionale nga drejtori i Radios, Arsim Halili kishte raportuar edhe gazetarja Behare Bajraktari.

Më 30.03.2023, Bordi i RTK-së kishte emëruar, Arsim Halilin drejtor të Radio Kosovës.

.