Drejtori i përgjithshëm i RTK-së i shqipton vërejtje drejtorit të Radio Kosovës

Drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, i ka shqiptuar vërejtje drejtorit të Radio Kosovës, Arsim Halilit.

Kjo pasi udhëheqësja e zyrës ligjore të RTK-së, Zana Spahiu, kishte dërguar email në bord, e cila akuzonte drejtorin Halili për presion të drejtpërdrejtë ndaj saj, presion psikologjik në vendin e punës me ngritje të zërit, përplasje të tavolinës dhe elemente të dhunës verbale.

Ahmetxhekaj në mbledhjen e datës 23.05.2024 të bordit tha se vërejtja i shqiptohet Halilit vetëm për sjellje.

“Drejtorit të Radios i kam shqiptu vërejtje për qasje në komunikim. Vërejtja ka të bëjë që secili të mbetet brenda kompetencave dhe përgjegjësive të veta. Kemi të bëjmë me diskutime që janë bërë në mbledhje të menaxhmentit por nuk mendoj që janë bazë që dikush me u përjashtu nga puna. Pas kërkesës së bordit zotëri Halilit i kam shqiptu vërejtje ku i kërkoj të përmirësojë sjelljet në raport me stafin pas shqetësimeve dhe vërejtjeve që janë bërë. Është dhe paralajmërimi që përimirësimi i sjelljes është i domosdoshëm. Sot është dërgu vërejtja”- tha Ahmetxhekaj.

“Nuk po flasim për dhunë ndaj grave sepse vetëm me e pa stafin e zotëri Halilit janë të gjitha gra, nuk arsyetohet sjellja dhe mënyra e komunikimit të tij” – tha tutje ai.

Anëtarët e bordit, Dardan Beqiri dhe Arta Berisha, dhanë kritika se pse në vërejtjen e dhënë drejtorit të Radios nuk janë përfshirë edhe elemente të tjera të cilat udhëheqësja e zyrës ligjore kishte përfshirë në email.

“Ma e rëndë se komunikimi u kanë diçka tjetër, ushtrimi i presionit me qëllim të ndërrimit të vendimit… Prej datës 8 maj deri më sot çfarë masa keni marrë për të ballafaquar të dyja palët?”- tha anëtari Dardan Berisha.

“Është për keqardhje që unë duhet me i bë vërejtje vërejtjes. Dua të cek se përveç komunikimit është edhe që drejtori Halili ka kërku dosjen e komisionit disiplinor dhe që zonja në fjalë ka jep dorëheqje nga komisioni. Janë dy pika këto që më interesuan, edhe komunikimi është shqetësues por këto për shkak të këtyre elementeve”- tha anëtarja e bordit Arta Berisha.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë më drejtorin e Radios, Arsim Halilin, dhe udhëheqësen e zyrës ligjore, Zana Spahiu, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Më 07.05.2024 në mbledhje të bordit të RTK-së, anëtarja e bordit, Arta Berisha, tha se kanë pranuar një letër shqetësuese nga udhëheqësja e zyrës ligjore, Zana Spahiu.

Në letrën e Spahiut thuhet se si rezultat i presionit të drejtpërdrejtë të drejtorit të Radios, Arsim Halili, që ushtronte ndaj Komisionit Disiplinor në të cilin kjo ishte kryesuese, për ta ruajtur integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë, kishte paraqitur dorëheqjen. Ndër të tjera Spahiu thekson se drejtori i Radios ndaj saj ka ushtruar presion psikologjik në vendin e punës, me ngritje të zërit, përplasje të tavolinës, dhe me elemente të dhunës verbale.

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka mbajtur sot më 23.05.2024 mbledhjen e radhës me dy pika të rendit të ditës, adresimin e vërejtjeve të ngritura nga bordi në vendimin e miratimit të raportit vjetor 2023 dhe diskutim lidhur me veprimet e ndërmarra nga drejtori i përgjithshëm lidhur me rastin e shqetësimeve të ngritura ndaj drejtorit të Radio Kosovës.

Për sjellje joprofesionale nga drejtori i Radios, Arsim Halili, kishte raportuar edhe gazetarja Behare Bajraktari.

Gazetarja e Radio Kosovës pretendon se drejtori Arsim Halili dha urdhër që t’i merren kompjuteri dhe gjësendet e saja

Më 30.03.2023, Bordi i RTK-së kishte emëruar, Arsim Halilin drejtor të Radio Kosovës.

Arsim Halili emërohet drejtor i Radio Kosovës