Bllokohet lëvizja në sheshin e Skenderajt

Policia e Kosovës ka vendosur shirita në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj për të parandaluar përhapjen e koronavirusit përmes grumbullimit të njerëzve.

Kjo masë ka filluar të zbatohet tani në kuadër të vendimeve të mëhershme të Qeverisë në detyrë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha për KALLXO.com se për shkak të motit të mirë që do të mbizotërojë në vend, institucionet përgjegjëse kanë filluar zbatimin e vendimit për ndalimin e qarkullimit në sheshe.

Kryeziu njoftoi se ky vendim është ne fuqi te paktën deri me 12 prill.

“Vendosja e shiritave ne sheshe është ne kuadër te vendimeve te mëhershme, përkatësisht vendimit te Grupit Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve për mbylljen e te gjitha parqeve me qellim parandalimin dhe grumbullimin e qytetareve ne hapësira te përbashkëta dhe vendimit te mëhershëm të Qeverise në detyrë për ndalimin e qarkullimit te qytetareve ne sheshet e hapura. Meqë kjo jave pritet te përcillet me mot me diell, institucionet përgjegjëse kane filluar zbatimin e vendimit për ndalimin e qarkullimit ne sheshe me qellim parandalimin e frekuentimin dhe grumbullimit te qytetareve ne këto hapësira”, tha Kryeziu.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha për KALLXO.com se shiritat janë vendosur me qëllim të zbatimit të vendimeve mbi ndalimin e grumbullimit dhe shfrytëzimit të shesheve për shëtitje, por jo edhe për raste pune.

“Referuar vendimeve dhe rekomandimeve të institucioneve shtetërore ndaj pandemisë COVID-19, Policia e Kosovës ka vënë shirita sigurues në sheshe, me qëllim të zbatimit të vendimeve mbi ndalimin e grumbullimit dhe shfrytëzimit të shesheve për shëtitje, por jo edhe për raste pune. Kjo masë ka për qëllim parandalimin e përhapjes së virusit përmes grumbullimit të njerëzve”, njofton Kelani duke apeluar qytetarët për respektim të vendimeve.

Në fotografitë e siguruara nga KALLXO.com shihet se pavarësisht masave, një numër i vogël i njerëzve janë parë duke lëvizur, por të distancuar.

Sheshi “Adem Jashari” Skenderaj – foto:KALLXO.com
Sheshi "Adem Jashari" Skenderaj - foto:KALLXO.com
Sheshi “Adem Jashari” Skenderaj – foto:KALLXO.com
Sheshi "Adem Jashari" Skenderaj - foto:KALLXO.com
Sheshi “Adem Jashari” Skenderaj – foto:KALLXO.com
Sheshi "Adem Jashari" Skenderaj - foto:KALLXO.com
Sheshi “Adem Jashari” Skenderaj – foto:KALLXO.com

Komuna e Skenderajt nuk ka deri më tani asnjë rast të shënuar me coronavirus. Përderisa numri total me të infektuar në Kosovë ka arritur në 145, prej tyre 23 të shëruar dhe 3 të vdekur.

KALLXO.com ka raportuar sot edhe për vendosjen e shiritave edhe në sheshet e Komunës së Prishtinës dhe Ferizaj.