Antony Blinken. Screenshot: Kryeministria/Facebook

Blinken thirrje Hamasit të miratojë propozimin për armëpushim

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, i cili po qëndron në Lindje të Mesme për të siguruar mbështetje për një plan për armëpushim në Gazë, i bëri sot thirrje grupit militant Hamas, të pranojë propozimin që do të siguronte lirimin e pengjeve dhe do të çonte në pezullimin e luftimeve. Propozimi për armëpushim, i paraqitur nga Shtëpia e Bardhë, u përkrah të hënën nga Këshilli i Sigurimit, por Hamasi, ndonëse e mirëpriti rezolutën, ende nuk ka dhënë një përgjigje për të.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të martën se miratimi i propozimit për armëpushim në Gazë nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është sinjal i qartë që bota e mbështet këtë plan. Ai i bëri thirrje Hamasit ta miratojë planin, duke e quajtur reagimin fillestar të grupit militant “shenjë shpresëdhënëse”.

“Mendoj se është një shenjë shpresëdhënëse siç ishte edhe deklarata që ata lëshuan para 10 ditësh, kur Presidenti Biden publikoi propozimin, por kjo nuk është fjala e fundit. Në fund zgjidhja e kësaj çështjeje varet nga vendimi i udhëheqjes së Hamasit në Rripin e Gazës. Këtë vendim nuk e kemi parë ende”, deklaroi Sekretari Blinken.

Hamasi, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, mirëpriti të martën rezolutën e Kombeve të Bashkuara që përkrah planin për t’i dhënë fund luftës dhe tha se është i gatshëm të diskutojë për detajet e propozimit.

Gjatë qëndrimit në Izrael, Sekretari Blinken, i cili u takua me familjet e pengjeve dhe takoi protestuesit që po kërkojnë armëpushim, tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara që ky grup militant të mos sundojë më në Gazën në të ardhmen. Sipas tij, zyrtarët amerikanë dhe udhëheqësit e rajonit janë duke punuar për planet e pasluftës, duke përfshirë çështjet e sigurisë, qeverisjes dhe rindërtimit.

“Të gjithë thanë po, me përjashtim të Hamasit. Dhe nëse ata nuk e miratojnë propozimin, atëherë përgjegjësia bie mbi ta për vazhdimin e luftës, për qindra mijëra, miliona gra, fëmijë e burra palestinezë në Gazë… Po presim përgjigjen e Hamasit”, tha ai.

Gjatë vizitës në Izrael, zoti Blinken tha se Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka konfirmuar zotimin e tij ndaj propozimit.

Propozimi për armëpushim parasheh tri faza, duke filluar me lirimin e pengjeve nga Hamasi në këmbim të një armëpushimi afatgjatë dhe tërheqjes së trupave izraelite nga Gaza. Hamasi ende mban rreth 120 pengje, një e treta e të cilëve besohet se kanë vdekur.

Në Gazë, palestinezët e zhvendosur u treguan të rezervuar për rezolutën e Kombeve të Bashkuara, duke bërë thirrje për zbatimin e saj të menjëhershëm.

“Kemi 8 muaj që po presim për një rezolutë si kjo që të zbatohet. Kemi tetë muaj që po vuajmë; duke u zhvendosur nga njëri vend në tjetrin. Ishim në Khan Younis e pastaj shkuam në Rafah, pastaj në një shkollë të shkatërruar që po e pastrojmë për t’u strehuar. Sot dëgjuam për rezolutën për t’i dhënë fund luftës, që është në dobi të të gjithëve”, sipas palestinezit të zhvendosur Amjad Fayez Shtawi.

Sekretari Blinken vazhdon vizitën në Lindje të Mesme me një ndalesë në Jordani, ku po takohet me udhëheqësit e rajonit dhe ata të Autoritetit Palestinez për të diskutuar rreth planeve të pasluftës për Gazën./VOA