Blair: Lufta për Kosovën nuk ishte vetëm për kosovarët, por për të gjithë ne

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, është shprehur i nderuar dhe falënderues për mikpritjen që iu bë në Kosovë.

Kështu ai tha në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës të organizuar për nder të tij, në 25- vjetorin e çlirimit të Kosovës.

“Në 10 qershorin e para 25 vjetëve u arrit marrëveshja për tërheqjen të plotë dhe pa kushte të forcave pushtuese nga territori i Kosovës. Kosova ishte më në fund e lirë, njerëzit e saj kishin mundësinë të jetonin përsëri, të shpresonin përsëri, të besonin përsëri”, ishin fjalët e para të Tony Blair, gjatë adresimit në Kuvendin e Kosovës.

Blair shtoi se sot kujtohen ata që vdiqën e që dhanë jetën për liri.

“Kujtojmë kurajon e tyre dhe sakrificën. Shprehim mirënjohjen e përjetshme për ta dhe familjet e tyre”, tha Blair.

Në Kosovë, siç tha ai, iu kthyen shumë kujtime të asaj kohe për kompleksitetin dhe presionin për të marr vendime.

“Më së shumti më kujtohen njerëzit, kur takova refugjatët kosovarë në Shkup. Dëgjova historitë e tyre të zhvendosjes dhe mizorive. Fytyrat e tyre kërkonin ndihmë dhe shihnin në fytyrën time se a mundem dhe a do ju ndihmoj”, kujtoi Blair.

Ish-kryeministri britanez tha se kurrë nuk i ka rënë pishman për ndihmën e dhënë.

Blair tutje kujtoi edhe liderët e Kosovës në atë kohë, veçanërisht përmendi presidentin Ibrahim Rugov. Ai e përmendi edhe sekretarin e NATO-s, Javier Solana, ish-kryeiministrin italian D’Alema, gjeneralin Clark e presidentin amerikan Bill Clinton, por pa harruar edhe liderë tjerë politikë e ushtarakë.

“Asnjë nga ne nuk do të kishim triumfuar pa vendosmërinë dhe guximin e juaj- njerëz të Kosovës. Vështirësitë tuaja simbolizojnë vullnetin tuaj për të ardhme tjetër, e ajo e ardhme ende do formohet për shtet sovran e të fortë. Për një Kosovë që merr vendin e saj të merituar në zemër të Europës me anëtarësim të plotë në BE”, shtoi Blair.

“Ne i dhamë fund një makthi atëherë, por mund të ndërtojmë një ëndërr tani”, deklaroi Blair.

Tutje ai shtoi se “kur lejohet që një popull të shtypet dhe ngacmuesi lejohet të kryej ngacmimet dhe ne refuzojmë të veprojmë, krijojmë precedent. Kur tirani është kundër vlerave që ne i mbajmë por nuk i mbrojmë, atëherë tregojmë dobësi që minon lirinë e njerëzve të shtypur dhe lirinë tonë”, theksoi Blair.

“Lufta për Kosovën, nuk ishte vetëm për kosovarët por për të gjithë ne, përfshi edhe vendin tim që besoi që liria dhe drejtësia kanë vlerë që të luftohet për to”, deklaroi tutje Blair.

Ai përmendi edhe luftën në Ukrainë dhe Gaza duke shtuar se duhet të gjendet rrugë zgjidhje.

Blair shtoi se vendet mosnjohëse të Kosovës duhet binden që ta njohin Kosovën.

Rininë e Kosovës, ai e quajti të talentuar dhe me ambicie.

Ai u shpreh i bindur se e ardhmja do të ofroj mundësi më të mira për të gjithë në Kosovë.