Foto: ZKM

Bislimi: Integrimi i Kosovës në institucionet euro-atlantike mbetet prioritet i Qeverisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se integrimi i Kosovës në institucionet euro-atlantike ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë.

Kështu ka deklaruar Bislimi në mbledhjen e pestë të këshillit ministror për integrim evropian të mbajtur sot.

Ai ka thënë se çdo hap që ndërmerret në drejtim të këtij objektivi strategjik është një hap i duhur drejt integrimit të Kosovës në institucione dhe organizata.

Sipas njoftimit, në këtë mbledhje u fol edhe rreth detyrave konkrete dhe sfidave të mundshme në zbatimin e arritjen e objektivave drejt rrugës së integrimit evropian të Republikës së Kosovës.

“Siç e dini, më 15 dhjetor 2022 kemi dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në BE. Në veçanti tani pas aplikimit për anëtarësim pritet përshpejtim i zbatimit të reformave dhe përmirësimi i cilësisë dhe ndikimit të tyre në jetën e qytetarëve. Fokusi qëndron tek krijimi i momentumit për pranimin e pyetësorit nga Komisioni Evropian për t’u vlerësuar për statusin e shtetit kandidat për anëtarësim” – ka thënë Bislimi.

Sipas tij, është me rëndësi që reformat nën përgjegjësinë e institucionevetë zbatohen brenda afateve kohore të vendosura nga vetë institucionet, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit si institucionin kryesor koordinues për integrim evropian.

Po ashtu, në njoftim thuhet se u diskutua për masat të cilat kanë arritur zbatim në Planin e Veprimit ERA II dhe aspektin e përgjithshëm të gjendjes së zbatimit sipas institucioneve.