Bilall Sherifi: Jemi të vetëdijshëm që beteja do të zhvendoset në sallat e gjyqit

Ish- shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi në një konferencë për shtyp në ditën kur hetuesit e Speciales po bastisin në shtëpinë e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të partisë, Jakup Krasniqi, ka thënë se tashmë janë të vetëdijshëm që beteja do të zhvendoset në sallat e gjyqit.

Sherifi kërkoi nga institucionet qendrore dhe të drejtësisë mbështetje në kalimin e kësaj sfide.

“Qeveria, Parlamenti duhet të përgatiten që të gjithë ata, duke përfshirë edhe Krasniqin që ju ka rënë hise të ballafaqohen me këtë fatkeqësi të kenë mbështetjen e shtetit në mënyrë që edhe këtë betejë që është zhvendosur dikur nga Malet e Berishës në parlamentin e Kosovës e tani në sallat e gjyqit, ta bëjmë bashkë” tha Sherifi.

Sherifi tha se skenat që i kanë parë sot janë të panevojshme dhe traumatike për familjen.

“Nuk ka qenë nevoja për bastisje, ka mjaftuar një ftesë dhe ai do i paraqitej drejtësisë sikurse të gjithë luftëtarët që nga niveli drejtues e deri tek ushtarët e thjeshtë”, tha Sherifi.

Ai tha se nuk kanë informacione tjera përpos që e dijnë se bastisja ka ndodhur nga Dhomat e Specializuara.

“Krasniqi tërë jetën ka luftuar për drejtësinë kolektive. Ai gjithë i është përgjigjur ftesave të organeve të drejtësisë si vendore ashtu edhe ndërkombëtare”, tha Sherifi.

Tutje, ai tha se në kohën kur zëdhënësi i Millosheviqit,  kuratori i politikave gjenocidale të Serbisë në Kosovë Ivica Daqiq zgjedhet kryetar Kuvendi, bën ftesë, kërcënon qytetarët për mos informim për varrezat, zëdhënësi i UÇK-së ftohet, arrestohet, bastiset për krime të luftës.

Hetuesit e ZPS-së sot po zhvillojnë operacione në shtëpinë e ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit.

Sipas njoftimit, operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

KALLXO.com mori vesh që bastisja po zhvillohet në shtëpinë e Jakup Krasniqit.