Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Tahiri: Nuk po i ‘nxejmë’ sindikatat për Ligjin e Pagave

Protestat e paralajmëruara nga sindikata të ndryshme dhe mbajtja e disa të tjerave që si arsye kanë Ligjin e Pagave janë bërë temë diskutimi në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se ata nuk janë duke i ‘nxehur’ sindikatat për Ligjin e Pagave.

“Dilni edhe bisedoni me sindikata, mos thoni që ne po i nxejmë, ne nuk po i nxejmë. Diskutoni me sindikata, thoni troç që ky ligj nuk vjen në Kuvend ose nëse vjen thoni hajde uluni dhe diskutoni edhe me ata edhe me ne si Komision për Buxhet”, tha ai.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka vazhduar edhe sot me protestë për të shprehur pakënaqësitë e tyre për mos miratim të Projektligjit të pagave për sektorin publik si dhe implementimin e Ligjit për pagat në buxhetin e vitit 2022.

Ndërkaq SBAShK ka paralajmëruar protestë më 4 dhjetor ndërsa për nesër do të mbajnë protestë Sindikata e Pavarur e Administratës.