Sindikata e Pavarur e Administratës mban protestë të premten

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës ka paralajmëruar protestë këtë të premte.

Kjo pasi sipas tyre Qeveria e Kosovës ka injoruar realizimin e Ligjit të pagave dhe buxhetimin e mjeteve për implementimin e këtij ligji për vitin 2022.

Kjo sindikatë ka renditur edhe arsyet të tjera që kanë çuar në protestë.

“Në mbledhjen e mbajtur më 19 nëntor 2021, vlerësoi Kryesia Ekzekutive e SPAK – ut gjendjen e nëpunësve civil në mbarë Administratën Publike të Kosovës dhe pas presionit të anëtarësisë së gjerë lidhur me injorimin nga ana e Qeverise së Kosovës në realizimin e kërkesave thelbësore siç janë: Ligji i Pagave, Buxhetimi i mjeteve për implementimin e ligjit të pagave në ligjin për buxhet për vitin 2022, Marrëveshja e përgjithshme kolektive, Sigurimi shëndetësor, Njohja e përvojës të punës të gjithë zyrtarëve publik – ShC të dëbuar padrejtësisht dhe me dhunë nga puna gjatë viteve të 90 – ta , caktimi i pagës minimale”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Tutje, sipas tyre është e papranueshme tendenca sipas tyre për frikësimin dhe politizimin e Shërbimit Civil përmes plotësim ndryshimit të Ligjit për zyrtarët publik.

Protesta e paralajmëruar do të mbahet të premten, duke filluar nga ora 11:00 në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë.