Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Tahiri: Në sektorin privat në Kosovë nuk ka pagë nën 250 euro

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se në sektorin privat në Kosovë nuk ka pagë nën 250 euro.

Tahiri ka thënë se për ketë arsye ligji për pagen minimale nuk ka ndonjë impakt.

“E dini të gjithë, sot nuk ka pagë në sektorin privat ndër 250 euro. Ky ligj nuk ka asnjë impakt, asnjë ndikim. Të vetmin ndikim e ka më i pru veteranët e UÇK-së para Kuvendit të Kosovës, me krijua situata, kauza pa kurrfarë nevoje”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkojnë që komisoni për Buxhet dhe Financa dhe ministri i Financave Hekuaran Murati të takohen me palë për të diskutuar.

“Po lypim komisoni për Buxhet dhe Ekonomi dhe ministri i Financave me palët me u ulë me diskutua para se më ardhë në ketë trajtim. Është gabim fundamental. Kena me pas shumë situata tjera ku mundemi më u shty. Mos të shtyhemi për një kauzë kombëtare”, ka thënë ai.

Kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili ka thënë se në Kosovë ende ka punëtorë që e kanë pagën më të vogël se paga minimale.

“Nuk është e vërtetë që nuk ka paga nën 250 euro në Kosovë. Kjo është arsyeja pse paga minimale nuk është rritur më herët. Ka pasur e ende ka në Kosovë, kamerierë, pastrues që e kanë pagën më të ulët se paga minimale”, ka thënë Kurti.

Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet e seancës plenare, ndërsa në oborrin e Kuvendit po vazhdon protesta e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protestuesit po kërkojnë që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.