Sali Berisha - Foto: Facebook/SaliBerisha

Berisha për draftin e Ramës për Asociacionin: Teksti u shkrua në Beograd dhe u rishkrua në Tiranë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit aktual, Edi Rama i cili njoftoi se a propozuar një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë te Presidenti i Francës dhe Kancelari i Gjermanisë.

Berisha ka thënë se ky akt përbën një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës dhe se sipas tij drafti së pari është shkruar në Beograd për t’u rishkruar më pas në Tiranë.

“Sot Edi Rama në detyrim doli dhe informoi shqiptarët se ka hartuar dhe dorëzuar tekstin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Vetëkuptohet që teksti është shkruar në Beograd dhe rishkruajtur në Tiranë. Ky akt përbën një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Përbën një akt më të shëmtuarin në historinë e marrëdhënieve mes dy vende, përbën një akt që nxit dhe nuk qetëson konfliktin”- ka deklaruar Berisha para mediave.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës ka detyrim që të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtarë dhe se veprimet e qeveritarëve duhet të koordinohem me trupat e KFOR-it.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës e ka një detyrim që të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtarë sikundër, duke njohur të drejtën e autoriteteve të Kosovës për të kontrolluar çdo pjesë të territorit, theksoj se realitetet duhet të lexohen siç janë”- tha Berisha.

“Në Kosovë ekziston KFOR-i me rezolutë të veçantë dhe me detyrime të caktuara, jam i mendimit se veprimet në zona të nxehta detyrimisht duhet të koordinohen me trupat e KFOR-it që kanë përgjegjësi para Kosovës por edhe me ndërkombëtarët për detyrat që u janë ngarkuar”- shtoi ai.

Ish-kryeministri theksoi se ka mbështetur Asociacionin si një të drejtë themelore, por që sipas tij, nuk mund të jetë kurrë jashtë kompetencave kushtetuese të Republikës së Kosovës.

“Sa i përket Asociacionit e kam mbështetur, e mbështes dhe do ta mbështes si një të drejtë themelore, por theksoj se nuk mund të jetë kurrë jashtë kompetencave kushtetuese të Republikës së Kosovës. Çdo Asociacion që del jashtë kësaj kornize është rrezik madhor jo vetëm për Kosovën por për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Është një faktor jashtëzakonisht i rrezikshëm i Serbmadhisë. Dëshmi e një politike, e cila e ka zhytur Ballkanin në luftrat më të egra që bazoheshin në hegjemoninë e Beogradit ndaj vendeve të tjera”- u shpreh Berisha.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se i ka dorëzuar presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Ola Scholz një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rama në një konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me tensionet në veri, deklaroi se beson që çdo ditë e më shumë se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës.

Ai tha se për draftin e Asociacionit ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe palën amerikane.

Më 2 maj, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferenë për media pas takimit trepalësh në Bruksel kishte thënë që, “dëshira e tyre [e ekipit menaxhues] për një Republikë Serbe e ka shkruar këtë statut të [Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe]”.

Kurti shtoi se ka propozuar një draft vizion që përshkruan vlerat, parimet dhe kornizën që duhet të rregullojë çështjen e komuniteteve joshumicë.

“Besoj se propozimi im do të merret seriozisht nga ndërmjetësit, pasi do të na mundësojë të ndërtojmë diçka të mirë, të drejtë dhe të dobishme për të gjithë, jo vetëm për serbët, të cilët duhet të jenë në gjendje të jetojnë në vendin tonë dhe të jenë anëtarë të shoqërinë tonë”, tha Kurti.

Pas prezantimit të draft-statutit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, shkarkoi Ekipin Menaxhues të ngarkuar për hartimin e statutit.

Sipas Krasniqit, “ky ekip tashmë është vetë pa status”.

Ekipi përgjegjës për hartimin e Statutit të Asociacionit përbëhej nga Jelena Boloviq, Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq dhe Danijela Vujiçiq.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, këtë vendim e ka cilësuar si shkelje të frymës së marrëveshjeve të Brukselit, duke theksuar se këso hapa duhet të ndërmirren vetëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Drafti i parë i statutit u prezantua nga ekipi menaxhues më 2 maj në dialogun e nivelit të lartë, i cili tashmë nis procesin e negociatave. Prandaj, vendimi për shpërndarjen e ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja,” ka thënë Stano në disa përgjigje për KALLXO.com.

Formimi i Ekipit Menaxhues ishte paraparë me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Rama i dorëzon një draft të Asociacionit Macronit dhe Scholzit