Berisha - LVV-së: Keni komplekse që s’keni qenë pjesë e madhështisë së luftës për liri

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, gjatë deklarimit lidhur me projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, ka akuzuar Qeverinë Kurti për përjashtim të jashtëligjshëm të veteranëve të luftës nga ky projektligj.

Berisha ka thënë se kjo qeveri ka komplekse që nuk ka qenë pjesë e luftës për liri.

“Këto ditë ka pasur tendenca për t’i mohuar vlerat e luftës dhe veteranët në veçanti. Nëse keni komplekse nga fakti se s’keni qenë në periudhën e duhur pjesë e madhështisë së luftës për liri, që të jep qenia e luftëtari i luftës për liri, veteran i kësaj lufte, invalid apo familje dëshmorin, nuk është e ndershme t’i luftoni këto vlera. Këto vlera meritojnë t’i ngritni në piedestalin më të lartë”, ka thënë Berisha.

Ai ka thenë se kategoria më e diskriminuar në shoqëri janë veteranët.

Lidhur me këtë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka reaguar duke numëruar deputetët e grupeve parlamentare të cilët kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

Tutje ka thënë se nuk është në rregull të flitet prej dimensionit të komplekseve se kush ka qenë e kush s’ka qenë pjesë e luftës.

“Kur po thoni që keni komplekse që s’keni qenë pjesë e asaj lufte, fillova t’i shoh grupet parlamentare dhe në LDK po e shoh një që ka qenë, VV pi shoh pesë e në PDK po i shoh dy. Kjo është gjendja aktuale qysh po ju shoh tash, nuk bën të hyhet andej sepse ka të secilit grup parlamentar që ofendohen sepse kanë qenë pjesë e UCK Prandaj është gabim të flitet në mënyrë monopolizuese për luftën çlirimtare”, ka thënë Konjufca.

Deputetët këto deklarime po i bëjnë gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do të votojnë projektligjin që parasheh të plotësoj dhe ndryshojë disa prej ligjeve ekzistuese në mënyrë që të hapet rrugë për rritjen e pagës minimale.

Opozita kundër projektligjit për pagën minimale, kërkohet përfshirja e pensionit të veteranëve