Opozita kundër projektligjit për pagën minimale, kërkohet përfshirja e pensionit të veteranëve

Partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do të votojnë projektligjin që parasheh të plotësoj dhe ndryshojë disa prej ligjeve ekzistuese në mënyrë që të hapet rrugë për rritjen e pagës minimale.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka deklaruar se nuk do ta votojnë projektligjin për pagën minimale.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se projektligji shkel disa kategori të ndjeshme siç janë veteranët, teksa ka shtuar se rritja e pagës minimale duhet të bëhet me dialog social.

“E dimë që Kurti ka premtuar që paga minimale të jetë jo më e vogël se 350 euro në 2019, ne e kemi parë që në këtë propozim, paga do të jetë 250 që është një shkelje tjetër e tij. Po mundohen që kategoritë më të ndjeshme që kanë kontribut në shtetndërtimin e Kosovës po shkelen dhe po degradohen duke u larguar me këtë ligj, siç janë veteranët, të verbrit, tetraplegjikët dhe paraplegjikët. Ne si parti nuk do të votojmë dhe do të jemi kundër në këtë formë”, ka thënë Lushtaku.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se me projektligjin për pagën minimale targetohet vetëm një pjesë qytetarëve, atyre që janë të punësuar në sektorin privat.

“Kur vendoset paga minimale vendoset për të ruajtur standardin minimal të jetës ndaj një kategorie të qytetarëve. Ata janë të punësuarit privat apo publik që marrin paga të ulëta dhe kategoritë e caktuara të shoqërisë që të ardhurat e tyre lidhen me pagën minimale. Me mënyrën se si e keni shkruar këtë ligj, ju e targetoni vetëm një pjesë të vogël të tyre që janë në sektorin privat e që marrin rrogë më të vogël se 250 euro”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se nuk mund të shkëputet nga ky ligj rritja e pagës së veteranëve.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka thënë se kjo parti është kundër nenit të projektligjit për pagën minimale, i cili parasheh heqjen e veteranëve nga rritja e pensionit të tyre.

“Projektligji që e keni sjell ju parasheh që të largojë veteranët nga rritja e pensionit të tyre. Veteranët pensionin nuk e kanë si shpërblim por e kanë burim të ekzistencës dhe nëse e marrin këtë nuk mund të punojnë që është edhe kjo si diskriminim. Kërkojmë që ky nen të largohet në mënyrë që pensionet të jenë në vij me pagën minimale. Përndryshe ne jemi kundër dhe nuk do ta votojmë deri sa të largohet”, ka thënë Bekë Berisha.

Deputetët këto deklarime po i bëjnë gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.