Berisha komenton vendimin e Britanisë për shpalljen non grata

Në Tiranë, ish kryeministri Sali Berisha vazhdoi sot përpjekjet për të hedhur poshtë shpalljen non grata nga Mbretëria e Bashkuar, duke e quajtur si një vendim i mbështetur në akuza false.

Kryeministri Berisha u shpall non grata dy vjet më parë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion të lartë dhe minim të demokracisë.

Ai tha se do të padiste në një gjykatë të Parisit Sekretarin e Shtetit, Anthony Blinken, por pas dy vjetësh deklaroi se gjykata franceze nuk kishte kompetencë për këtë çështje.

Më shumë se dy vjet pasi u shpall non grata nga SHBA-të dhe afro një vit pasi u shpall non grata nga Mbretëria e Bashkuar, ish kryeministri Sali Berisha përsëriti sot pretendimet e tij se ishin kryeministri Edi Rama, Fondacioni Shoqëria e Hapur, diplomatët britanikë dhe ata amerikanë, që kishin përhapur për të shpifje dhe trillime.

Ish kryeministri u shpall një vit më parë non grata nga Mbretëria e Bashkuar për lidhje me grupe të krimit të organizuar dhe pasurim përmes korrupsionit për vete dhe rrethit të njerëzve pranë tij.

Njoftimin nga Londra drejtuar zotit Berisha, të cilën e publikoi po vet, theksohet se ai mban lidhje me kriminelë, që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat ai është i gatshëm t’i përdorë për të arritur ambicjet e veta politike.

Zoti Berisha i hodhi poshtë akuzat si “shpifje dhe gënjeshtra” të sponsorizuara nga kryeministri Rama Fondacioni i George Sorosit.

Ai bëri një pasqyrë të dokumenteve, që i kishin ardhur së fundi, siç u shpreh ai, nga komisioni administrativ, ku edhe bazohet vendimi i Londrës për non grata ndaj tij, shoqëruar me sqarime dhe komente të gjata për secilin prej tyre, në formën e një raporti.

Në një raport të gjatë dhe një seri komentesh, ai përsëriti pretendimet se vendimi i Londrës për ta shpallur non grata për lidhje me krimin e organizuar dhe përdorim të pushtetit për pasurim korruptiv, bazohej në materiale të pavërteta, që kishin përcjellë diplomatët britanikë.

“Korrupsioni transnacional sponsorizoi sanksionimin tim del në dritën e diellit në këtë raport me prova, fakte dhe dokumenta tronditëse për shqiptarët dhe gjithë botën, sa i përket shkallës së korrupsionit, që qëndron prapa këtij vendimi”, tha zoti Berisha.

Ai përsëriti se asnjë provë për korrupsion të tij nuk është shfaqur dhe se ai është gati të heqë dorë nga politika sapo kjo të ndodhë.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi më 19 maj 2021 ndalimin e hyrjes në territorin e Shteteve të Bashkuara për ish kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij, për shkak të “akteve të rënda të korrupsionit” dhe “minimit të demokracisë”.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vendosi t’i ndalojë hyrjet e zotit Berisha në SHBA, si një ish-zyrtar i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë, me “veprime korruptive, si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë”.

Menjëherë ato ditë zoti Berisha vendosi të ngrejë padi për shpifje në një gjykatë të Paris, ndaj Sekretarit Blinken.

Por dy vjet pas këtij hapi, vet zoti Berisha njoftoi dy javë më parë se gjykatat franceze nuk e kanë këtë kompetencë.

Shpallja non grata nga SHBA-të e ish kryeministrit Berisha solli një përçarje të thellë në Partinë Demokratike të opozitës.

Ish kryetari Lulzim Basha e përjashtoi zotin Berisha nga grupi parlamentar, duke theksuar se Partia Demokratike nuk mund të mbante në forumet e saj persona të shpallur non grata nga aleati strategjik i Shqipërisë, dhe se askush nuk mund ta përdorte partinë si një bunker për të mbrojtur veten.

Ngjarjet rodhën me shpejtësi gjysmën e dytë të 2021, kur Berisha nisi një lëvizje me përkrahësit e tij dhe në fund të atij viti u mbajtën dy kongrese.

Ndërsa në janar 2022, mbështetësit e ish kryeministrit Berisha sulmuan me mjete të forta dhe morën nën kontroll selinë qendrore të partisë, ku dhunën fizike mes dy grupeve e parandaloi policia e shtetit.

Nga ajo kohë zoti Berisha drejton faktikisht një pjesë të partisë, edhe pse nuk njihet nga institucionet dhe nga KQZ-ja, e as nuk kontaktohet nga diplomatët perëndimorë, ndërsa zoti Basha po rikandidon për t’u rizgjedhur në krye të Partisë Demokratike, e cila njihet formalisht nga ligjet e vendit./VOA