BE përjashton shtatë banka ruse nga sistemi SWIFT

Bashkimi Evropian sot ka njoftuar se ka larguar shtatë banka ruse nga sistemi global, SWIFT.

Kështu bëri të ditur shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përmes një postimi në Twitter.

“Me shpejtësinë e dritës, BE-ja ka miratuar sanksione të rënda kundër sistemit financiar të Rusisë, industrive të saj të teknologjisë së lartë dhe elitës së korruptuar. Vendimi i sotëm për të shkëputur bankat kryesore ruse nga rrjeti SWIFT do të dërgojë një sinjal tjetër shumë të qartë për Putinin dhe Kremlinin”, ka shkruar ajo në Twitter.

 

Në vendimin e BE-së për bankat ruse është bërë e ditur se kjo masë do t’i ndalojë bankat të kryejnë transaksionet e tyre financiare në mbarë botën në mënyrë të shpejtë dhe efikase.

Bankat e prekura janë: VTB Bank, Bank Otkritie, Novikombank, Promsvyazbank, Rossiya Bank, Sovcombank dhe VEB.

BE ka njoftuar se vendimi i sotëm është koordinuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të BE-së, si Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Bankat e synuara nga masa e sotme u zgjodhën pasi këto banka tashmë janë subjekt i sanksioneve nga BE dhe vendet e tjera të G7.

“Ai do të hyjë në fuqi që nga 12 marsi 2022. Kjo do t’i japë SWIFT dhe operatorëve të tjerë një periudhë të shkurtër tranzicioni për të zbatuar masën, duke zbutur kështu çdo ndikim të mundshëm negativ për bizneset dhe tregjet financiare të BE-së. Në varësi të sjelljes së Rusisë, Komisioni është i përgatitur të shtojë banka të tjera ruse në një njoftim të shkurtër”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Tutje është bërë e ditur se BE-ja ka ndaluar investimin në projekte të bashkëfinancuara nga Fondi Rus i Investimeve Direkte.

Po ashtu, është ndaluar dhënia e kartëmonedhave në euro për Rusinë.

Që nga 26 janari, shumë shtete u bashkuan për përjashtimin e Rusisë nga sistemi SWIFT.

SWIFT – Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në mbarë botën u themelua në vitin 1973 për ta zëvendësuar teleksin dhe tani përdoret nga mbi 11,000 institucione financiare për të dërguar mesazhe të sigurta dhe urdhërpagesa. Pa asnjë alternativë të pranuar globalisht, është një hidraulik thelbësor për financat globale.

Sot, janë bërë një javë që kur Rusia filloi pushtimin e saj në Ukrainë. Trupat e presidentit Vladimir Putin kanë pushtuar disa nga rajonet kufitare të Ukrainës dhe po i shtojnë sulmet ndaj Kievit.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës dhe janë zotuar se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë.