Ilustrim

BE: Nuk do të shiten më automjete me motorë me djegie të brendshme pas vitit 2035

Negociatorët e Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian arritën një marrëveshje javën e kaluar për një ligj që parashikon përfundimin e shitjes së automjeteve të reja me motorë me djegie të brendshme nga viti 2035.

Kjo marrëveshje hap rrugën për një industri moderne dhe konkurruese të automobilave në Bashkimin Evropian. “Bota po ndryshon dhe ne duhet të mbetemi lider në inovacion” – ka deklaruar ministri çek i Industrisë dhe Tregtisë, Jozef Sikela.

Presidenca çeke negocioi në emër të 27 shteteve anëtare me përfaqësues të Parlamentit Evropian.

U arrit një marrëveshje për t’i reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit nga automjetet e reja me 55 për qind deri në vitin 2030, dhe me 50 për qind për kamionët e transportit në krahasim me nivelin e vitit 2021, dhe zero emetime duhet të arrihen si për automjetet e reja ashtu edhe për kamionët e rinj deri në vitin 2035.

Kjo marrëveshje është pjesë e paketës “Gati për 55 për qind”, në të cilën BE-ja vendosi një objektiv për t’i reduktuar emetimet neto të gazeve serrë me të paktën 55 për qind deri në vitin 2030./Dnevnik.hr