BE ndan 70 milionë euro për vaksinat kundër COVID-19 në Ballkanin Perendimor

Komisioni Evropian ka ndarë sot  70 milionë euro si ndihmë për vendet e Ballkanit Perendimor në sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Sipas komunikatës së së këtij komisioni, “kjo do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor që ta blejë një numër të vaksinave nga Marrëveshjet e Avancuara të Blerjes të BE me gjashtë prodhues, ashtu që Shtetet Anëtare të BE e ndajnë një pjesë të dozave të tyre të para-alokuara”.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi tha se janë duke ndërrmarë hapa të shpejtë për të mundësuar nisjen e vaksinimit për grupe të caktuara të njerzëve në Ballkanin Perendimor.

“Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke ndërmarrë hapa për ta mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin kritik dhe grupet më të cenueshme në rajon në fillim. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në mbarimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”, theksoi  Várhelyi

Bashkimi Evropian është duke financuar edhe  një projekt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të ndihmuar në menaxhimin e logjistikës dhe shpërndarjen e vaksinave.

COVAX është  një bashkëpunim global për ta përshpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe qasjen e barabartë në teste, trajtime dhe vaksina kundër COVID-19.

COVAX synon të blejë 2 miliardë doza deri në fund të vitit 2021, përfshirë mbi 1.3 miliardë për shtetet në zhvillim.