Banorët e fshatit Stankaj të Rugovës ankohen se një projekt i komunës po i lë pa ujë (VIDEO)

Banorët e fshatit Stankaj në Rugovë të Pejës e kanë një hall me Komunën e Pejës.

Ata po ankohen se shumë shpejt mund të mbesin pa ujë në fshatin e tyre, për shkak se komuna përmes një projekti planifikon ta dërgojë ujin prej burimit të fshatit të tyre në fshatrat përreth.

Akuza nga banorët pati edhe direkt ndaj kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Përfaqësuesi i këtij fshati Isa Lulaj, në një intervistë për KALLXO.com tha se banorët e fshatit Stankaj janë duke u ballafaquar më këtë problem prej nëntorit të vitit 2019.

“Ne si banorë të katundit Stankaj jemi kategorikisht kundër të marrjes së ujit, arsyeja është se na mbesim pa këtë ujë”, tha Lulaj.

Lulaj tha se vazhdimisht kanë parashtruar kërkesë komunës së Pejës, por zëri i tyre nuk është duke u dëgjuar.

“Prej nëntorit të 2019 kur e kemi bo kundërshtimin me shkrim, kemi shku të kryetari i komunës, kemi kërkuar që të ndërpritet kjo marrje e ujit, pastaj në gusht të 2020 kanë vazhduar punimet, na komplet katundi i kemi ndërpre punimet, kemi shkuar prapë në komunë kemi bo kërkesa kemi jep deklaratë në polici, dhe kërkesa jonë nuk dëgjohet askund. Deri tash është bërë një pauzë tash kanë filluar diku 500 metra prej këtu punimet me presionin e policisë”, shton ai.

Kërkesa e banorëve drejtuar komunës së Pejës është që urgjentisht të ndërpriten punimet, dhe që uji që buron në këtë fshat fillimisht të shpërndahen te banorët e këtij fshati, e pastaj nëse mbetet ndonjë sasi të dërgohet në fshatrat përreth.

“Problemi është se ata e kanë nisë shpinë prej kulmit e jo prej temelit, temeli është këtu” ishin fjalët e Isuf Lulaj, banor tjetër i këtij fshati.

Lulaj pati akuza direkte ndaj kryetarit Gazmend Muhaxheri.

“Ai është duke menduar për veti sepse ka blerë pllac në Shkrel, është ka rren se është duke e çuar në Bogë, ai është bërë gazi i botës… Nuk është në pyetje as Boga as Dugaivë, pse nuk e përmendi Dugaivën si i vetmi fshat në Rugovë që ska ujë”, thotë Lulaj.

KALLXO.com ka provuar të bisedojë edhe me kryetarin Muhaxheri rreth këtyre akuzave, por ai nuk është përgjigjur në pyetjet e redaksisë.

Këto pamje janë të një pjesë të fshatit që, sipas banorëve, është duke u shkatërruar për qëllime të komunës.

“Këtu kanë thënë qe dëshirojnë me hap një bazen për grumbullim të ujit por këtu as nuk është bazen, është shkatërrim i kësaj pjesë të katundit të fshatit Stankaj.

Lidhur me këtë rast KALLXO.com ka marrë një përgjigje nga komuna e Pejës, Drejtoria për Shërbime Publike.

Xhevahire Kelmendi, drejtore e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në komunën e Pejës tha për KALLXO.com se ky është një projekt i komunës në bashkëfinancim.

Kelmendi tha se komuna është e njoftuar se banorët e kanë kundërshtuar këtë projekt, mirëpo sipas saj në bazë të parametrave është konstatuar se do të ketë ujë të mjaftueshëm edhe për fshatrat që është destinuar.

“Mirëpo banorët e kanë kundërshtuar edhe me peticion dhe me protestë, tani për tani nuk ka punime në këto fshatra, është duke u punuar në një pikë të grumbullimit të ujit në Bogë dhe të shohim tutje si do rrjedhin gjërat”, shtoi drejtoresha Kelmendi.

Sipas policisë kompania në fshatin Stankaj ka qenё duke punuar nё hapjen e një kanali për shtrirjen e rrjetit tё ujësjellësit për fshatrat Bogë, Shkrel dhe Dugaive, por punimet janë ndërprerë nga banorët, pastaj edhe policia në koordinim me prokurorinë ka ndërprerë punimet derisa palët te ofrojnë dokumentacion mbi pretendimet e tyre.

“Me datën 12.11.2020 nga përfaqësuesi i kompanisë punë kryese është sjellë kontrata me Kuvendin Komunal-Pejë, për shtrirjen e rrjetit te ujësjellësit ne fshatrat e cekuar me lart, pas kësaj prape është njoftuar prokurori i cili ka udhëzuar se kompania mund të vazhdojë punimet”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë së Pejës.

Ndërsa policia njofton se tani është pranuar një procesverbal nga drejtoria e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe duke u bazuar nё kёtё procesverbal punëkryesi obligohet tё ndërpresë punimet.

Sipas tyre, për veprimet e mëtutjeshme do të vendoset nё koordinim me prokurorin dhe drejtorin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.