Agim Bahtiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bahtiri ia uron fitoren Bedri Hamzës

Pas tetë viteve në pushtet si kryetar i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri nuk do të jetë më në krye të kësaj komune.

Ai humbi përballë kandidatit të Partsë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Përmes një reagimi në Facebook, Bahtiri ia uroi fitoren Hamzës ndërsa vlerësoi procesin zgjedhor.

“Në zgjedhjet e djeshme për kryetar komune, edhe njëherë treguam se zgjedhjet janë të lira dhe demokratike e me një proces pa asnjë problem. Natyrisht në garë dikush fiton dhe dikush tjetër humb dhe kjo vendoset nga populli”, ka shkruar Agtim Bahtiri.

“Falënderoj qytetarët që për dy herë radhazi më kanë dhënë besimin mua për të udhëhequr Mitrovicën. Gjithashtu, falënderoj shumë të gjithë qytetarët që edhe kësaj radhe besuan në mua duke më votuan”, tha ai.

Përmes telefonit, ai tha se bisedoi me kryetarin e ardhshëm të komunës së Mitrovicës ndërsa, pati edhe një kërkesë për të.

“Mbrëmë kam telefonuar kundërkandidatin Bedri Hamza, të cilit i urova fitore. Në këtë bisedë të shkurtër, e sigurova që të gjitha punët do të jenë të përgatitura për t’ia përcjellë kur të vjen procesi i pranim-dorëzimit dhe kërkova që projektet e filluara mos të ndërpriten. Do të jem gjithmonë në shërbim të Mitrovicës”, thuhet në fund të reagimit.

Bedri Hamza e fitoi në rundin e parë me 53.86 për qind apo 16 mijë e 91 vota ndërsa, Agim Bahtiri mori 34.40 për qind apo 10 mijë e 279 vota.