Ilustrim

Avokati i Popullit u përgjigjet ankesave për lirim të të burgosurve gjatë pandemisë

Avokati i Popullit ka njoftuar se ka pranuar ankesa nga disa të burgosur, të cilët kanë kërkuar të lirohen nga vuajtja e mëtejme e dënimit duke iu referuar situatës së krijuar me paraqitjen e pandemisë globale COVID-19.

Por Institucioni i Avokatit të Popullit, në pajtim me Ligjin për Avokatin e Popullit, me legjislacionin relevant në fuqi, ka njoftuar se nuk ka kompetenca ndaj vendimeve të Panelit për Lirim me Kusht, e as ndaj vendimeve të gjykatave kompetente, të cilat ndërlidhen me lirim të parakohshëm dhe me pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të dënimit.

“Duke i njohur detyrimet e qarta për të ndërmarrë veprim të vendosur për të luftuar COVID-19, Avokati i Popullit ua rikujton të gjitha organeve kompetente të Republikës së Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për personat e privuar nga liria, natyrën absolute të ndalimit të torturës dhe trajtimit çnjerëzor dhe degradues, e cila parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në legjislacionin relevant vendor, si dhe në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit ka thënë se masat mbrojtëse asnjëherë nuk duhet të rezultojnë në trajtim çnjerëzor dhe degradues të personave të privuar nga liria e tyre. Po ashtu, ata kanë theksuar se çdo kufizim i të drejtave dhe i lirive themelore duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional, me kohëzgjatje të caktuar, i bazuar në ligj, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe në aktet juridike ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të përfshira në Kushtetutë.

“Po ashtu, autoritetet kompetente të Republikës së Kosovës, në këtë periudhë, duhet të veprojnë në pajtim të plotë me Deklaratën e Parimeve e proklamuar nga KPT-ja më 20 mars 2015 dhe nga Këshillat e Nën-komitetit të OKB-së për Parandalim të Torturës për trajtimin e personave të privuar nga liria në kontekst të luftimit të pandemisë COVID-19 të proklamuara më 25 mars 2020”, vazhdon njoftimi.

Po ashtu, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’ua dërgojnë të gjitha ministrive relevante, si dhe çdo autoriteti tjetër (përfshirë gjyqësorin dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës) përgjegjës për gjendjen e personave të privuar nga liria e tyre këto dy dokumente të rëndësishme për trajtimin e personave të privuar nga liria në këtë periudhë pandemie globale.

Avokati i Popullit inkurajon autoritetet kompetente që deri më 30 prill 2020 t’ia dërgojnë KPT-së një raport për masat konkrete të ndërmarra në kontekst të pandemisë globale (COVID-19) në lidhje me trajtimin në burgje të personave të privuar nga liria e tyre, si dhe në institucionet e tjera, në veçanti, në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe të mirëqenies sociale dhe në institucionet e mbajtjes për të huajt.

“Aty ku vizitat familjare janë ndaluar për arsye shëndetësore, të sigurohen mënyra të tjera të cilat u ofrojnë të burgosurve kontakte me familjet e tyre dhe kontaktet me botën e jashtme, për shembull përmes telefonit, përmes internetit/email, video-komunikimit dhe mjete të tjera elektronike të përshtatshme. Kontaktet e tilla duhet lehtësohen, të inkurajohet dhe të jenë të shpeshta dhe pa pagesë”, vazhdon njoftimi i Avokatit të Popullit.

Më tej, njoftimi i Avokatit të Popullit thotë se personave të privuar nga liria e tyre t’u garantohet niveli i kujdesit shëndetësor, i cili është në dispozicion për komunitetin e lirë.

“Autoritetet kompetente të ofrojnë kujdes mjekësor për të burgosurit të cilët kanë nevojë dhe nëse është e nevojshme jashtë burgjeve dhe qendrave të paraburgimit kurdo që një gjë e tillë është e mundur”, thuhet më tej në njoftim.

Avokati i Popullit inkurajon organet kompetente që të shqiptojnë sanksione alternative ndaj paraburgimit në mënyrë që të parandalohet rritja e numrit të të burgosurve dhe të mos rrezikohet parimi i distancës sociale, e cila është një nga masat e proklamuara nga OBSh-ja në luftën kundër COVID-19.