Avokati i Popullit, Naim Qelaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Avokati i Popullit reagon ndaj votimit kundër raportit të këtij institucioni në Kuvend

Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar ndaj moskalimit të raportit vjetor të vitit 2022 të Institucionit në Kuvendin e Kosovës, duke e konsideruar atë ndërhyrje dhe presion në institucion dhe duke ngritur pikëpyetje në informacionet që kanë deputetët lidhur me këtë institucion.

Nga 61 deputetë të pranishëm në sallë më 23.05.2024, 58 prej tyre votuan kundër e tre të tjerë abstenuan në votimin e këtij raporti, i cili flet për gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut për vitin 2022.

Në deklaratë, Institucioni i Avokatit të Popullit është shprehur i shqetësuar me mungesën e shumë deputetëve gjatë trajtimit të raportit dhe mungesën e debatit lidhur me gjetjet.

Pas prezantimit të raportit nga Naim Qelaj në seancë, fjalën e kishte marrë vetëm deputetja Arjeta Fejza nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila edhe bëri thirrje që të votohet kundër këtij raporti. Kjo pasi që siç tha Fejza, ky institucion ka dështuar për t’i kryer disa obligime dhe kritikoi përmbajtjen e raportit. Ajo tha se nga 1,600 ankesa të qytetarëve adresuar te Avokati i Popullit, 910 prej tyre janë kualifikuar si të papranueshme për trajtim dhe se nuk është bërë shumë për të ndihmuar këto raste në kërkim të së drejtës së tyre tutje.

“Së dyti, IAP ka dështuar të ushtrojë mandatin e tij në mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të njeriut gjatë monitorimit të proceseve gjyqësore… Ka dështuar të hartojë dhe të miratojë procedura të veçanta për pranimin dhe trajtimin e ankesave nga fëmijët edhe pse ligji e bën të obligueshëm një përgjegjësi të tillë” – tha më tej deputetja.

Ajo shtoi se raporti ka mangësi siç janë informacionet mbi pasojat e ankesave, mënyrën e adresimit të tyre në institucionet përkatëse, pasqyrimi i veprimeve të ndërmarra dhe analiza krahasuese ndër vite.

Avokati i Popullit tha se këto veprime shënojnë momentin kur duhet bërë thirrje autoriteteve për reflektim e veprime të pjekura institucionale.

“Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e tij që mungesa e shumë deputetëve në sallë kur duhej të trajtohej Raporti vjetor i Avokatit të Popullit, mungesa e debatit lidhur me të gjeturat e Raportit dhe më pas thirrja për të votuar kundër, e përmbyllja e Seancës sipas kësaj thirrjeje, do të ngushtojnë hapësirën në raportimet për progresin e vendit në çështje të të drejtave të njeriut, ashtu siç veprime të tilla parlamentare, konsiderohen ndërhyrje dhe presion në punën e Institucioneve Nacionale të të Drejtave të Njeriut” – thuhet në reagim.

Përderisa deputetja Fejza në seancë tha se ky raport është i vonuar, Avokati ka thënë se raporti është dorëzuar me kohë dhe se referimi në seancë bëhet sipas agjendës së legjislativit dhe jo sipas kërkesës së Avokatit të Popullit.

“Për më tepër, përgjatë viteve, Avokati i Popullit ka bërë thirrje që Raportet vjetore respektive të merren parasysh menjëherë pas dorëzimit dhe të vihen për debat parlamentar në ndonjërën prej seancave në sesionet pranverore, gjë që nuk është marrë parasysh” – ka shtuar Qelaj.

“Në anën tjetër, Avokati i Popullit vazhdueshëm është përpjekur të tërheq vëmendjen e deputetëve që qëllimi i paraqitjes së Raportit vjetor në Parlament, arrihet kur çështjet e ngritura aty dhe gjendja e të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend e respektimi i tyre nga autoritetet, bëhen objekt diskutimi e trajtimi nga Parlamenti, i cili e ka fuqinë dhe detyrën t’i shtyj përpara rekomandimet e Avokatit të Popullit, duke kërkuar llogari dhe përgjegjësi nga autoritetet publike, sa herë kjo të jetë e nevojshme. Vota PRO ose KUNDËR nuk e ndryshon, as e tjetërson realitetin dhe situatën me të drejtat dhe liritë e njeriut në vend” – thuhet më tej.

Mënyra se si është trajtuar raporti në Kuvend, sipas Avokatit të Popullit, rikthen zëshëm shqetësimin lidhur me kuptueshmërinë që ka legjislativi për këtë institucion, mandatin e tij, pacenueshmërinë sa i përket vlerësimit të çështjeve që ngre në punën e tij të përditshme dhe në mënyrën se si vendos t’i trajtojë çështjet që i procedon.