Avdullah Hoti: Kam besim në veten time në procesin e dialogut

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, në një intervistë në RTV Dukagjini ka thënë se ka besim në veten e tij, bashkëpunëtorët dhe miqtë ndërkombëtarë, në lidhje me procesin e dialogut.

Hoti deklaroi se kufizimi i tij është Kushtetuta e Kosovës dhe në dialog nuk do të distkutohet për integritetin territorial të vendit.

“Krijimi i kësaj frike dhe këtyre teorie të thikave, unë e shoh burimin edhe tek akterët vendor të politikës. Unë e kam marr këtë proces përsipër, e kemi definu procesin e dialogut dhe qasjen. Ne kemi parimet tona në dialog, duhet të respektohet Kushtetuta. E kemi prezantu mënyrën e procesit të dialogut. Përfshierjen e Kuvendit, raportimit të rregullt në Kuvend në lidhje me dialogun”, deklaroi Hoti.

Ai po ashtu tha se të gjithë duhet ta kenë të qartë se vendi e ka vetëm një kryeministër dhe se nuk i delegon kompetencat e tij tek askush.

“I nënshtrohem kushtetutës së vendit, i ushtroj të gjitha kompetencat e mija të dialogut, pa i delegu te askush. Nuk ka askush asnjë arsye që të ketë asnjë dyshim në këtë proces. Ne nuk mund të bëjmë një marrëveshje dhe ta servojmë në Kosovë, sepse në fund duhet ta sjellim në Kuvend”, tha Hoti.