Foto: REL/AFP

Avdullah Hoti e quan "konspiracion" idenë e shkëmbimit të territoreve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një tryezë të KDI-së për dialogun Kosovë-Serbi, sot ka deklaruar se temën e shkëmbimit territorial nuk do ta marrë parasysh në dialog.

Hoti tha se nuk ka njohuri për prapaskenat e këtij dialogu dhe se për këtë pasi u emërua si kryeministër ka biseduar me partnerët ndërkombëtar.

“Kur kam marrë detyrën si kryeministër kam kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë që të di se deri ku ka shkuar procesi. Përgjigja e tyre ka qenë: “Nuk ka arritur askund. Të dyja palët duhet të uleni në tavolinë si dy shtete të pavarura dhe negocioni për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me njohje reciproke’”, tha Hoti.

Sipas tij, kjo gjë nënkupton se diskutimet për shkëmbim të territoreve janë vetëm konspiracione.

“Kjo nënkupton se të githa konspiracionit për harta të ndryshme, për shkëmbime të territoreve, për mua janë jorelevante, s’janë të vërteta, nuk merren parasysh, nuk do të jenë pjesë e diskutimit tim me ekipin që do të merremi bashkë më ketë proces”, ka shtuar Hoti më tej.

Dialogu Kosovë – Serbi për normalizimine marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është pezulluar, që nga koha kur ish kryeministri kosovar Ramush Haradinaj vuri tarifën 100% kundër mallrave serbe, në nëntor të 2018-tës.