Autoritetet ukrainase: Rusia ka humbur 15,000 trupa që nga fillimi i luftës

Rusia ka humbur 15 mijë trupa (personel) që kur forcat ruse e pushtuan Ukrainën më 24 shkurt, ka pohuar  Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës.

Ministria tha gjithashtu se forcat e armatosura ruse kishin humbur 1,535 automjete të blinduara.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar raportoi se forcat ruse që përparonin drejt Kievit nga verilindja kishin ngecur dhe se shumica e trupave mbetën më shumë se 25 kilometra nga qendra e qytetit.

Shifrat e dhëna nga zyrtarët ukrainas nuk kanë mundur të verifikohen nga Sky News dhe ekspertët theksojnë se është në interes të vendeve në luftë të japin vlerësime më të sakta të viktimave të armikut.

Megjithatë, vlerësimet nga SHBA javën e kaluar pretenduan se më shumë se 7,000 trupa ruse janë vrarë në më pak se tri javë luftime.

Sot është dita e 26 e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. 

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit t’i tërheqë forcat e saj nga Ukraina. /Sky News