Auditori: Presidenca mbajti zëvendësues më gjatë së 12 muaj, më shumë se afati i paraparë me ligj

Zyra e Auditorit ka gjetur se në tetë raste Presidenca e Kosovës, pozitat e rregullta të punës i kishte zëvendësuar përmes vendimeve si zëvendësues detyre në pozita të ndryshme e që ushtronin këto detyra për më gjatë se 12 muaj.

Auditori thotë se mbajtja e pozitave me zëvendësues më gjatë se afati i paraparë me ligj, janë bërë si rezultat i mos kujdesit të duhur nga menaxhmenti i Zyrës së Presidencës (ZRPK).

Gjetjen ZKA e ka bazuar mbi Ligjin Për Zyrtarët Publik i cili parasheh që një pozitë e rregullt në Shërbimin Civil mund të plotësohet në rast të nevojës së zëvendësimit apo mungesës së përkohshme, për një periudhë jo më gjatë se 12 muaj.

“Ligji nr.06/L-114 Për Zyrtarët Publik, neni 32 paragrafi 4 parasheh: Përjashtimisht, një pozitë e rregullt pune në Shërbimin Civil mund të plotësohet në rast të nevojës së zëvendësimit apo mungesës së përkohshme të një nëpunësi civil varësisht nga rasti, për një periudhë jo më të gjatë se 12 (dymbëdhjetë) muaj”- thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, kjo ndikon që mbajtja e pozitave me zëvendësues për një kohë më të gjatë, përveç se nuk është në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, rrezikon që pozitat e ndryshme të mbahen nga persona që nuk i përmbushin kriteret e kërkuara/përcaktuara për pozitat adekuate.

Auditori ka rekomanduar që Sekretari i Përgjithshëm të sigurojë të ndërmerren veprime të nevojshme për plotësimin e pozitave (zëvendësimeve) me pozita të rregullta të punës.