Aktiviteti ‘Ato janë Ne’. Foto. KALLXO.com.

"ATO janë NE", mesazhi kundër dhunës në baza gjinore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë marrë sot pjesë në aktivitetin “ATO janë NE’, i cili po mbahet në kuadër të aktiviteteve “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Duke lënë gjurmën e tyre në një pano në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, tri zyrtaret shtetërore bënë thirrje për luftë kundër dhunës ndaj grave, për vetëdijesim për të denoncuar raste të tillë, e premtimin për ashpërsim të dënimeve ndaj dhunuesve në baza gjinore.

Presidentja Vjosa Osmani gjatë fjalës së saj tha se zëri kundër dhunës në baza gjinore duhet të ngrihet për çdo ditë.

“Siç e dini, për fat të keq në Kosovë ka pasur raste të shumta të dhunës mbi baza gjinore, dhe bashkë me ministren e Drejtësisë kemi punuar gjatë këtij viti që jo vetëm të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që kryejnë këto vepra të tmerrshme penale, por në të njëjtën kohë që të punojmë së bashku me të gjitha institucione në mënyrë që të kemi parandalim të këtij krimi jo vetëm dënime të tij pasi që të ndodhë”- tha presidentja Osmani.

Ndërsa, Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, tha me këtë rast se të gjitha gratë e vajzat duhet t’i raportojnë rastet e dhunës ndaj tyre, por edhe qytetarët që të raportojnë rastet e dhunës në familje.

“Aktiviteti i sotëm ‘Ato janë Ne’ është një thirrje dhe senzibilizim me të mbijetuarat e dhunës mbi baza gjinore dhe dhunës në familje, është po ashtu një thirrje për institucionet e Kosovës, sidomos për policinë, prokurorinë dhe gjykatat që rastet e dhunës në familje të mos i injorojnë, të mos i neglizhojnë, të mos i paragjykojnë, por që të marrin veprime serioze në raport me adresimin e tyre dhe përgjegjësit, pra dhunuesi t’i vendosin para përgjegjësisë penale”- tha ministrja Haxhiu.

Ajo tha se janë rreth  2,000 raste të dhunës në familje të regjistruara nga janari (2023) deri më tani.

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, pohoi se nëpër shkolla janë duke u zhvilluar aktivitete kundër dhunës në baza gjinore.

“Sot, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës kanë filluar një varg aktivitetesh vetëdijesuese për nxënësit, mësimdhënësit dhe stafin tjetër në shkolla në mënyrë që gjithë fëmijët, vajzat dhe djemtë tanë, jo vetëm të njihen me të drejtat e tyre, por edhe të jenë të gatshëm t’i adresojnë shkeljet e të drejtave të tyre, jo vetëm dhunës që mund të ushtrohet mbi baza gjinore por edhe format e tjera të dhunës” – tha ajo.

Vetëdijesimi qytetar

Gjurmët e tyre në aktivitetin “Ato janë Ne’ i lanë edhe shumë qytetarë. Mes tyre edhe aktivistja arbëreshe e të drejtave mbi baza gjinore nga Italia.

Ata thanë se ky aktivitet do të ndikojë në vetëdijesimin e qytetarëve kundër dhunës në baza gjinore. Por, thanë se duhet një aktivizëm nga të gjithë.

“Gratë duhet jenë të zgjuara, të luftojnë dhe të mos lejojnë dhunën e burrave ndaj tyre, të përdorin kanalet e ndihmës, si telefoni, dhe që në rastin e parë të dhunës të shkojnë në polici”- tha Antonella Caradonna, aktiviste arbëreshe nga Italia.

Skender Nebiu, qytetar, tha se ‘ATO janë NE’ do të ndikojë në zvogëlimin e rasteve të dhunës në familje.

“Aktivitete që do të ndërmerren këto ditë besoj se kanë një vizion, pasqyrim më të qartë rreth ngritjes së dorës, rreth dhunës, sidomos dhunës familjare”- tha ai.

Ndërsa, Osman Abazi, qytetar, u shpreh se aktiviteti “Ato janë Ne” jo vetëm po ndodh në kohën e duhur por do të ketë edhe jehonën e duhur për qëllimin e tij.

“Aktivitet shumë i qëlluar që edhe ne njëherë e përgjithmonë ta gjykojmë dhunën, dhuna nuk është e mirë, dhuna duhet të dënohet  dhe ka forma dhe aktivitete tjera të cilat ne duhet vazhdimisht me hy edhe në aspektin e përgjithshëm qysh kanë hyrë edhe vendet tjera të Europës që ta dënojmë, për arsye se po na kushton, si shoqëri, si shtet dhe si familje”- tha abazi.

Me motot: “Sot edhe çdo ditë tjetër”, “Thuaj jo dhunës”, ‘Raporto dhunën”, më 25 nëntor ka nisur fushata “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Mbi 80 aktivitete janë paraparë të mbahen në gjithë vendin në kuadër të kësaj fushate.

Ky aktivitet mbyllet më 10 dhjetor 2023.

Aktiviteti ‘Ato janë Ne’. Foto. KALLXO.com.