Foto: Facebook/Kuvendi i Kosovës

Çka bëri për një vit ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka?

Rrallë herë dëgjohet duke folur në mbledhjet e kabinetit qeveritar në të cilat rendi i ditës është i gjatë.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, është një ndër ministrat më të heshtur të kabinetit qeveritar.

E për një vit mandat, Damka ka pasur vizita, aktivitete, e pak vendime.

Damka, i cili vjen nga Partia Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), kishte marrë besimin e qeverisë Kurti 2, për të drejtuar Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka kërkuar qasje në aktivitetet, vendimet, udhëzimet që i ka marrë Damka për gjatë një viti në krye të kësaj ministrie.

Sipas të dhënave të dërguara, ministri Damka që nga marrja e mandatit ka zhvilluar 78 takime si dhe ka realizuar 63 vizita nëpër komuna dhe institucione të ndryshme.

Si drejtues i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, ai ka nënshkruar 16 marrëveshje mirëkuptimi me komunat e Kosovës.

Këto marrëveshje sipas ministrisë janë bërë në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal PZHR 2022.

KALLXO.com ka kontaktuar ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damkën, i cili ka thënë që këto memorandume mirëkuptimi kanë për qëllim investimin në projekte kapitale, nga ministria që ai drejton.

“Para disa javëve në si MZHR kemi iniciuar që të investojmë disa projekte nëpër komuna, posedojmë afër 1 milion e 700 mijë euro për ndarjen e granteve nëpër komuna, sidomos investimet në projektet kufitare, janë përcjellë 16 komuna, ku janë nënshkruar marrëveshjet dhe janë cekur projektet”, tha ai.

Të vetmet vendime, janë ato për emërimin dhe shkarkimin e këshilltarëve të tij politik, të cilat janë 10.

Mirëpo sipas ministrit Damka ka edhe vendime të tjera të brendshme të cilat janë marrë, pa treguar në numra.

Asnjë projektligj nuk ka ardhur për miratim në qeveri nga kjo ministri.

Mirëpo sipas ministrit Damka, projektligji për zhvillim rajonal shumë shpejt pritet të jetë në rendin e ditës së mbledhjes së kabinetit qeveritar.

“Ne në mandat e kemi vetëm një ligj, pasi që kur e kemi marrë ministrinë nuk ka ekzistuar asnjë ligj, vet ministria nuk e ka pasur ligjin e vet, ashtu që ne kur e kemi marrë mandatin e kemi iniciuar që të përpilojmë ligjin, dhe e kemi bërë gati, ai është në qeveri, këtë javë ose javën e ardhshme do të kaloj në qeveri, pastaj edhe në Kuvend”, tha ai.

Ai për gjatë një viti mandat ka nënshkruar vetëm një udhëzim administrativ për kushtet dhe kriteret e përkrahjes së bizneseve vendimmarrëse nga programi për zhvillim rajonal të balancuar.

Ministri Damka për KALLXO.com ka thënë se Ligji i ri për Zhvillim Rajonal do t’i hapë rrugën rregulloreve dhe udhëzimeve administrative.

“Pas ligjit do të fillojmë të bëjmë udhëzime administrative dhe rregullore që dalin nga ligji. Kemi nevojë që sa më shpejtë të kalojmë ligjin dhe pastaj edhe rregulloret për ministrinë”, tha ai.

Ministria e Zhvillimit Rajonal planifikon dhe zhvillon treguesit për monitorimin e zhvillimit socio-ekonomik rajonal të balancuar, koordinon aktivitetet me institucione të nivelit qendror dhe lokal si dhe akterë tjerë relevant në përkrahje të zhvillimit socioekonomik rajonal të balancuar dhe regjenerimit të vendeve të reja të punës.