‘Artpolis’ planifikon mbajtjen e aktiviteteve për ditët e aktivizmit

“16 ditët e aktivizmit” kundër dhunës me bazë gjinore është fushatë ndërkombëtare vjetore që fillon më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe zgjat deri më 10 dhjetor, në Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Për të shënuar “16 ditët e aktivizmi’”,  Artpolis”, qendra për art dhe komunitet, planifikon një sërë aktivitetesh që do të shtrihen në vende të ndryshme të Kosovës, dhe jashtë saj.

“Përveç Prishtinës, do të ketë aktivitete edhe në Pejë, Gjakovë, në Itali dhe Serbi. Kjo ngjarje e rëndësishme do të hapet me prezantimin e ‘Çikave të sjellshme” në SHFMU “Iliria” në Prishtinë, më 25 nëntor, ndërsa, shfaqja teatrore “Toka e shpirtrave të trazuar” do të ketë tri repriza, në Pejë, Gjakovë dhe Romë. Kurse në Serbi do të realizohet pjesa e dytë e Shkollës Feministe Pranverore, më 1 – 4 nëntor në Vrnjçka Banja”- thuhet në njoftim.

“16 Ditët e Aktivizmit” mbyllen me filmin dokumentar për ‘Biba May’, “Jo Më” me autore Shqipe Malushi dhe regji të Zana Hoxhës, që do të jepet më 9 dhjetor në Kino Armata në Prishtinë dhe më 10 dhjetor në Kino “Jusuf Gërvalla” në Pejë.