ATK pritet t`i ndëshkojë 246 biznese për ngritje të çmimeve

 

Administrata Tatimore e Kosovës pritet që t`i gjobisë 246 biznese të ndryshme të cilat i kanë ngritur çmimet gjatë situatës emergjente me të cilën po përballet Kosova.

Lajmin për KALLXO.com, e ka konfirmuar zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi.

“Nga data 12.03-22.03.2020 janë bërë verifikimet e denoncimeve të 1621 biznese, ku nga këto verifikime te 246 biznese janë konfirmuar shkelje ligjore dhe këto raste janë dërguar në njësinë për shqiptim të gjobave mandatore (brenda ATK-së) për nxjerrje të vendimeve ndëshkuese bazuar në raportet e inspektimit”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Sipas përgjigjes së ATK-së, që nga koha kur ka filluar zbatimi i vendimit të Ministrisë së Financave e deri me sot, në ATK janë pranuar 3705 denoncime për rritjen çmimeve, ndërsa 1,091 raportimeve të rasteve për mos mbylljen e bizneseve.

Raste të ngjashme qytetarët kanë raportuar edhe në KALLXO.com.

Një numër i bizneseve janë kontrolluar gjatë gjendjes së pandemisë pasi qytetarët kanë raportuar në KALLXO.com, për ngritjen e çmimeve.

Informacionet e pranuara janë bartur në Administratën Tatimore të Kosovës.
Në njërin nga këto biznese për të cilat ishte raportuar se ishin ngritur çmimet, inspektorët kishin arritur të konstatojnë se një dezinfektues po shitej me çmim 7 euro.

Vizitën e inspektorëve te ky biznes mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link

Dallime në çmime mes barnatoreve gjatë gjendjes së pandemisë në Kosovë është konstatuar edhe në qytetin e Pejës.

Një produkt për të sëmurët me diabet në barnatoren e parë shitej me çmim 1.50 euro, në barnatoren e dytë 2 euro ndërsa në barnatoren e tretë me çmimin 2.20 euro.

Kallxo.com, inkurajon qytetarët që të vazhdojnë të raportojnë për secilën parregullsi që hasin tek bizneset.