Pas raportimit në KALLXO.com, aksion i ATK-së në barnatoret e Pejës, ngirsin çmimet e barnave

Administrata Tatimore e Kosovës ka konstatuar diferenca në çmimet e barnave në tri barnatoret të ndryshme në Komunën e Pejës.

Aksioni u zhvillua pasi qytetarët kishin raportuar në KALLXO.com, se disa barnatore kishin ngritur çmimet gjatë situatës emergjente në Kosovë.

Për zhvillimin e këtyre vizitave ishin caktuar dy inspektorë tatimor të udhëhequr nga inspektori Naim Binakaj.

Pas përfundimit të vizitës tatimore, inspektorët konstatuan dallime në çmimet e shitjes së produktit “Siofor Metformin”.

Ky produkt në barnatoren e parë shitej me çmim 1.50 euro, në barnatoren e dytë 2 euro ndërsa në barnatoren e tretë me çmimin 2.20 euro.

Pas vizitës udhëheqësi Naim Binakaj ka deklaruar për KALLXO.com, se ka pasur diferenca në çmime.

“Gjatë vizitës kemi konstatuar se thirrja që ka ardhë në ATK, për ngritjen e çmimeve për dy artikuj, kemi bërë verifikimin dhe në dy biznese janë përafërsisht çmimet e njëjta, ka pak ndryshime, 1.50 deri 2 euro sillet “Siofori” ndërsa “Amaryl” është 2.80”, ka thënë udhëheqësi Naim Binakaj.

Çmimet e furnizimit në barnatoren e tretë ishin më të larta.

Raste të tilla janë raportuar edhe më parë në KALLXO.com.

Pas atyre raportimeve Administratës Tatimore të Kosovës kishte konstatuar se në komunën e Kamenicës një dezinfektues po shitej me çmim deri në 7 euro.

Vizitën e inspektorëve tek ky biznes mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link.

Kallxo.com, inkurajon qytetarët që të vazhdojnë të raportojnë për secilën parregullsi që hasin tek bizneset.

Deri më tani ATK ka njoftuar se ka konstatuar parregullsi në 246 biznese. Këto biznese janë dërguar për ndëshkim në zyrën për gjoba dhe ndëshkime e njohur si “ZGJONA”.