Asnjëri si Jakup Krasniqi, zëvendësoi dy presidentë e qëndroi më së gjati në detyrë

Kanë kaluar 147 ditë që nga dorëheqja e ‘detyrueshme’ e Hashim Thaçit nga posti i presidentit, për shkak të aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale.

Që nga ajo ditë, rolin e presidentin në Kosovë e kanë ushtruar dy persona, Vjosa Osmani dhe së fundi Glauk Konjufca.

Ushtrimin e detyrës së Presidentit, Osmani e Konjufca e kryen nga roli i kryetarit të Kuvendit, meqë Kushtetuta i obligon ata, në rast se vendi mbetet pa president.

Sipas Kushtetutës, posti i presidentit mund të ushtrohet nga Kryetari i Kuvendit jo më shumë se 6 muaj.

“Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj”, thuhet në pikën 3 të nenit 90 të Kushtetutës së Republikës.

Mirëpo, Osmani e Konjufca nuk janë të vetmit ushtrues të detyrës së presidentit që ka pasur Kosova.

Nëse pas largimit të Thaçit, u deshtën dy kryetarë të Kuvendit për të ushtruar rolin e tij, Jakup Krasniqi kishte ushtruar rolin e presidentit në dy raste.

Krasniqi kishte përcjellë dy presidentë, të cilët për shkak të shkeljeve kushtetuese ishin detyruar ta lënë në gjysmë mandatin e tyre.

Për shkak se nuk kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së, Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se Fatmir Sejdu kishte shkelur Kushtetutën e vendit.

Më 27 shtator të 2010-tës, Fatmir Sejdiu kishte ofruar dorëheqje nga posti i presidentit, ndërsa një ditë më vonë, si kryetar i Kuvendit, Jakup Krasniqi kishte filluar ta ushtronte Detyrën e Presidentit.

Ai këtë e kishte bërë deri më 22 shkurt të vitit 2011, kur Kuvendi i Kosovës kishte vendosur që ta zgjedhte Behgjet Pacollin president.

Jakup Krasniqi kishte ushtruar Detyrën e Presidentit 147 ditë, derisa atë e dorëzoi tek Behgjet Pacolli.

Roli i këtij të fundit si president ishte shumë i shkurtë. Njëjtë si paraardhësi i tij, edhe Pacollit i kishte dalë punë me Kushtetutën e vendit. Gjykata kishte gjetur se në zgjedhjen e tij nuk kishte pasur kuorum të mjaftueshëm.

Pacolli mbetet presidenti që shërbeu më së paku në këtë detyrë. Që prej 22 shkurtit e deri më 1 prill të 2011, Pacolli kishte qëndruar në zyrën e presidentit.

Jakup Krasniqit iu desh edhe njëherë të kthehet në zyrën e tij të vjetër. Por kësaj radhe qëndroi vetëm 7 ditë, pasi që partitë politike, si asnjëherë tjetër, ishin dakorduar për një presidente konseunsuale.

Më 7 prill, Kuvendi Kosovës e kishte zgjedhur Atifete Jahjagën presidente të vendit. Njëherit, e vetmja presidente që arriti ta çojë deri në fund mandatin kushtetues 5 vjeçar.

Ndërsa në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditëve.

“Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”, thuhet në pikën 6 të nenit 86 të Kushtetutës së vendit.

Në rastin kur Thaçi tha dorëheqje nga pozita e presidentit, Vjosa Osmani si kryetare e Kuvendit, mori për detyrë ta ushtrojë rolin e presidentes.

Ajo e ushtroi këtë detyrë derisa deputetët e legjislaturës së 8-të zgjodhën për kryetar të Kuvendit, Glauk Konjufcën.

Osmani qëndroi në këtë post për 137 ditë apo 17 ditë më pak se Jakup Krasniqi që kishte qëndruar 154 ditë si ushtrues detyre i presidentit.

Që nga 22 marsi, Kosova ka Glauk Konjufcën ushtrues të detyrës së presidentit.

Konjufca më së shumti mund ta mbajë këtë post deri më 5 maj, kur edhe është afati i fundit që Kuvendi të zgjedhë një president të ri, ose vendi do të shkoj në zgjedhje.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, dy parti politike kishin nxjerrë kandidatët për president. Lëvizja Vetëvendosje kishte nxjerrë Vjosa Osmanin kandidate për presidente dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Rezultatet e 14 shkurtit, nxorën Vetëvendosjen fituese me mbi 50%, ndërsa Vjosa Osmanin deputeten më të votuar me mbi 300 mijë vota.

Derisa AAK kishte marrë 7.1%, e Ramush Haradinaj 41 mijë vota.

Për zgjedhjen e presidentit votohet maksimumi në 3 raunde. Në dy raundet e para, Kushtetuta thotë se Presidenti zgjidhet me 2/3 e deputetëve, ndërsa në rast se dështon në të dy rastet, atëherë në raundin e tretë, zgjedhjet me shumicën e thjeshtë prej 61 votave.

Mirëpo, Kushtetuta e thotë qartë që procesi llogaritet i rregullt vetëm kur votojnë mbi 2/3 e deputetëve.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje numëron 58 deputetë. Qeveria Kurti u votua nga 67 deputetë, ndërsa Glauk Konjfuca u votua nga 69 deputetë.

Lidhja Demokratike e Kosovës njoftoi para pak ditësh se kanë marrë vendim që të qëndrojnë dhe të votojnë në seancën kur zgjedhet presidenti i ri.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk ka dashtë të tregoj nëse ka mbështetjen e të 14 deputetëve të LDK-së dhe Behgjet Pacollit.

Abdixhiku vetëm ka deklaruar se pret nga deputetët t’i respektojmë vendimet e kryesisë së partisë.

Partitë e tjera opozitare PDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin kandidaturën e Vjosa Osmanit për pozitën e kryetares së shtetit.

(VIDEO) PDK: Vjosa Osmani është kandidate partiake dhe përçarëse