Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

(VIDEO) PDK: Vjosa Osmani është kandidate partiake dhe përçarëse

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se i kanë disa arsye se pse partia e tij nuk e mbështetë kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.

Sipas Hoxhajt, Osmani nuk është figurë unifikuese, por përçarëse.

“Osmani nuk ka qenë një figurë unifikuese, por skajshmërisht përçarëse. Karrierën politike e ka ngritur kundër parimit të unitetit. Së dyti, ajo është një kandidate partiake, jo konsensuale për të qenë presidente e vendit”, ka thënë ai në një konferencë për media të mërkurën.

Hoxhaj pati kritika edhe për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Vetëvendosje është sikurse para zgjedhjeve, edhe pas zgjedhjeve nuk kërkon konsensus për zgjidhje në dobi të shoqërisë”, duke shtuar se Vjosa Osmani ka qenë e njëanshme sa ka udhëhequr me Zyrën e Presidentit.

“Është e para që ka përdorur Zyrën e Presidentit për të krijuar një parti politike, që iu bashkua më pas LVV-së në zgjedhje.  Osmani ka dëshmuar se është në diktatin e Kurtit. Osmani është politikisht e ndikueshme dhe jo stabile. Kandidatura dhe propozimi i saj më shumë është në logjikën e shantazhit”, theksoi zyrtari i PDK-së.

Hoxhaj ka shtuar se zgjedhja e Osmanit presidente do ta vendoste Kosovën në situatë të rrezikshme.

“Zgjedhja e Osmanit do ta vendoste Kosovën në situatë të rrezikshme kur pushtetit do të koncentrohej në duar të një partie dhe një lideri, të z. Kurti. Do të ishte e rrezikshme që Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria të kontrollohen nga një parti dhe nga një njeri” theksoi Hoxhaj.

 

Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit është paralajmëruar të mbahet ditët e ardhshme.

Partitë opozitare PDK dhe AAK nuk do ta përkrahin kandidaturën e Vjosa Osmanit për pozitën e kryetares së shtetit, ndërsa LDK-ja ka deklaruar se do të qëndrojë në sallë gjatë seancës, pa paragjykuar votën e deputetëve të saj.