Asnjë mësimdhënës nuk ka bërë kërkesë për pushim pa pagesë në Komunën e Mitrovicës Jugore

Që nga koha kur është bërë liberalizimi i vizave, kërkesat e mësimdhënësve për pushimet pa pagesë për të shkuar drejt Evropës po rriten. Nga muaji janar, 500-600 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë. Kështu kanë thënë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës – SBASHK.

Teksa në Drejtorinë Komunale të Arsimit në komunën e Mitrovicës Jugore, drejtoresha Drita Kadriu, thotë se që nga 1 janari 2024 e deri më tani nuk ka marrë ndonjë kërkesë të tillë.

Vjollca Shala nënkryetare e SBASHK-ut ka thënë se kjo ka ndodhur për faktin se disa mësimdhënës nuk kanë bërë fare kërkesa në drejtoritë përkatëse.

“Nga janari që kur është bërë liberalizimi i vizave është rritur numri. 500-600 mësimdhënës që kanë kërkuar pushim pa pagesë. Ka edhe pa bërë kërkesa hiç që kanë ikur. Numri i atyre po rritet dita-ditës. Kemi informata nga mësimdhënësit që pa bërë kërkesa hiç kanë shku nëpër vende të ndryshme të Evropës. Ata thjeshtë e shohin një herë nëse mund të gjejnë punë më të mirë natyrisht që edhe nuk kthehen”- ka thënë Shala për KALLXO.com.

Si e shohin drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit në Mitrovicë Jugore këtë dukuri?

Nazmi Beka, drejtor i shkollës fillore “Abdullah Shabani” e konsideron se është shkelje e rëndë pedagogjike nëse fëmiut pa një arsye të fortë i ndërrohet mësuesi. Beka shprehet i revoltuar për faktin se mësimdhënësit të ciltë e provojnë “fatin” jashtë vendit u mundësohet kthimi në shkollën bazë ku janë të punësuar.

“Kërkesa e mësimdhënësve për me shku 6 muaj pa pagesë për me e provu jetën në Gjermani apo një shtet tjetër të Evropës dhe me e lënë mundësinë hapur për me u kthy prapë në shkollë në Kosovë, kjo është rezultat se ata nuk e duan profesionin. Në baza shoqërore që kemi bisedu, disa mësimdhënës janë duke i pritur vizat apo kontratat e punës për me shku jashtë vendit. E ftoj Ministrinë e Arsimit me i marr të dhënat në terren me pa se sa është numri i mësimdhënësve që kanë shku ose presin me shku. Përndryshe do të vij te një situatë ku prindërit do të kenë dilema se a do të ketë mësimdhënës në shkollë në orarin e mësimit apo jo”- u shpreh Beka.

Raste të kërkesave për pushim pa pagesë nga mësimdhënësit nuk ka patur as në shkollën “Migjeni” teksa drejtori i shkollës Luan Mehmeti thotë se ka mungesë të stafit admistrativ, pedagogut e psikologut, etj.

“Që nga rasti i liberalizimit të vizave, tash që po vërehet një lëvizje. Për momentin në shkollën tonë po flas nga mësimdhënësit nuk e kemi asnjë kërkesë për pushim pa pagesë. Zyrtarisht asnjë mësimdhënës nuk e kam jashtë procesit mësimor. Në administratë deri sa të shqyrtohet konkursi kam mbet i vetëm. Edhe pse kjo shkollë është më e madhja në Mitrovicë, nuk kam as zëvendës as sekretar, as pedagog e as psikolog. Mirëpo për momentin me numrin e nxënësve dhe mësimdhënësve qëndrojmë mirë”- ka thënë Mehmeti.

Iset Beka, ushtrues detyre i drejtorit të shkollës “Musa Hoti” potencon se kjo shkollë ka patur probleme me mungesë të mësimdhënësve dhe zëvendësimin e tyre e konsideron shumë të vështirë.

“Fatbardhësisht raste të tilla ende nuk kemi pasur. Asnjë mësimdhënës nuk ka kërku pushim pa pagesë gjatë kësaj kohe. Zëvendësimi i mësimdhënsit është i pamundur për shkaqe procedurale. Është problem në qoftë se një mësues vendos në moment me lëshu punën ose me marrë pushim. Edhe mbesin fëmija pa mësimdhënës. Shkolla jonë ka patur probleme me mungesë të mësimdhënësve si p.sh. pushimet e leonisë. Herë kam mbajt mësim unë, herë pedagogia. Por prapë ka qenë e vështirë me e mbulu sepse ka patur raste kur tre-katër mësimdhënës nuk kanë qenë.  Mësimdhënës të gjuhës gjermane nuk kemi tash e një kohë”- ka thënë Beka.

Besarta Manxholli, mësuese në shkollën “Musa Hoti” thotë se puna e mësimdhënësit nuk vlerësohet shumë.

“E vështirë është sigurisht për shkollën dhe nxënësit, gjithashtu edhe për prindërit. Për fëmijë nuk është mirë me u ndërru çdo herë mësuesja. Për këtë ish dashtë me u mendu qeveria dhe organet kompetente. Qe besa le ta shohin rëndësinë e mësimdhënësit edhe prindërit. Se plot prindër ankohen. Ne punojmë me 30 fëmijë ata me dy fëmijë. Tash le te shohin edhe ata qysh është me mbet pa mësuse”- ka thënë Manxholli.

Dukuri jo të mirë dhe shumë shqetësuese ikjen e mësuesve jashtë vendit dhe zëvendësimin e tyre e cilëson mësuesja Merita Shyti nga shkolla “Migjeni”.

“Po kur ndalesh me shiku anën ekonomike i detyron njerëzit me bo çmos. Me fol në anën e kryefamiljarit që e mban familjen me këtë pagë është e pamundshme. Unë personalisht për veten time nuk e shoh si opsion perëndimin për shkak që kam të ardhuna edhe të tjera. Tek ne në shkollën tonë nuk ka, mirëpo në komunat tjera sa e di unë dy veta që i njoh shkojnë pikërisht prej ekonomisë se dobët”- përfundoi Shyti.

Arsimtarja Shemsie Ferati nga shkolla “Abdullah Shabani” thotë se ikja nga Kosova ka qenë dominante nga nxënësit.

“Nuk është në pyetje veç paga e arsimtarëve por janë edhe disa probleme që po e përcjellin arsimin. Neve na ka mbet si arsimtarë, vetëm shkumësi dhe shpuza. Nuk kemi kurrfarë autonomie mbi nxënësin. Qe sa nxënës kanë shku në perëndim tash, ka mungesa. Këto mungesa na veç i shënojna. Kurrfarë ndëshkimi nuk merr as prindi as nxënësi”- përfundoi Ferati.