Arrestohet personi i dyshuar, për identifikimin e të cilit dje Policia kërkoi ndihmën e qytetarëve

Policia e Kosovës sot ka arrestuar një person të dyshuar për grabitje, për të cilin dje gjatë ditës kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se bashkëpunimi i qytetarëve me Policinë ka mundësuar që sot rreth orës 17:00, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë të arrestohet personi i dyshuar.

Sipas Policisë, aktualisht hetuesit policorë po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me prokurorinë përkatëse, lidhur me rastin që dyshohet të jetë i përfshirë i arrestuari.

I dyshuari dje u tha se kërkohet për përfshirje në një rast të grabitjes, që ka ndodhur në gusht të vitit 2022, në rrugën “Fadil Vata” në Prishtinë.

Policia ka falënderuar mediat dhe qytetarëve për kontributin e vazhdueshëm dhe besimin në Policinë e Kosovës.

Në ditën e djeshme në një postim të Policisë u kërkua ndihma për identifikim të personit të dyshuar.

Në postim u tha se njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personit që shihet në fotografi.