Ilustrim

Arrestohet personi i cili shtiu me armë zjarri në Junik

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person i cili në prezencë të zyrtarëve të saj, ka shtënë me revole disa herë në ajër, përderisa nga ky incident nuk është raportuar për të lënduar.

Sipas policisë, sot rreth orës 14:30, Stacioni Policor në Junik është njoftuar se në qendër të qytetit ka të shtëna me armë zjarri.

“Njësitet policore menjëherë ju kanë përgjigjur rastit, është bërë rrethimi i perimetrit ku gjendej i dyshuari në mënyrë që të sigurohej që qytetarët të mos pësojnë nga të shtënat, meqë i dyshimti ishte identifikuar dhe mbante revolen në dorë”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Policia në vendngjarje e kanë urdhëruar të dyshimtin të lëshojë armën nga dora, por i njëjti edhe në prezencën e policisë kishte shtënë disa herë në ajër (lartë).

Në komunikatë më tej thuhet se reagimi Policor ka qenë i menjëhershëm dhe i dyshuari Xh. Sh. i lindur me 1975 është arrestuar në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe arma e përdorur në rast është sekuestruar.

Sipas PK-së, vendit të ngjarjes iu janë përgjigjur njësitet relevante të Policisë së Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit, janë duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes për të mbledhur prova dhe dëshmi të nevojshme.