Arrestohet i dyshuari për goditjen me veturë të prokurores në Pejë

Policia e Kosovës e ka arrestuar një person të dyshuar për goditjen me veturë të prokurores në Pejë.

I njëjti është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit.

I dyshuari është ndaluar për rrezikim të trafikut publik dhe mosdhënie e ndihmës personit të lënduar.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar për një aksident trafiku në Pejë, ku një veturë ka goditur një këmbësore.

KALLXO.com kishte mësuar se këmbësorja e goditur është prokurore në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Ai ka treguar se viktima është dërguar për tretman mjekësor.

“Rreth orës 14:30, Policia është informuar për një aksident i cili ka ndodhur në rrugen ‘Adem Jashari’ në Pejë, në këtë aksident kanë qenë të involvuar një veturë dhe një këmbësore, si pasojë e aksidentit këmbësorja ka pësuar lendime trupore, viktima është dërguar në emergjencën e spitalit rajonal në Pejë për tretman mjekësor”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhdnësit e spitalit, Naim Sahiti.

Ai ka treguar se gjendja e prokurores është stabile.

“Është në gjendje stabile, jashtë rrezikut për jetë. Ka pësu vetëm lëndime të lehta trupore”, ka thënë ai.