Ilustrim

Arrestohet 36 vjeçari i kërkuari që katër vite për trafikim të narkotikëve

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arritur që të lokalizoj dhe arrestoj 36 vjecarin A.L., pasi ishte i kërkuar ndërkombëtarisht në lidhje me veprën penale të trafikimit të narkotikëve.

Sipas njoftimit A.L., ishte në kërkim që nga viti 2019, kur në atë kohë Policia e Shtetit së bashku me atë të Greqisë kishin goditur një grup të dyshuar kriminal përmes kufirit të gjelbër për lëndë narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës gjurmuese dhe operacionale, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, në kuadër të operacioneve policore të zhvilluara më parë, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, kanë lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar, A. L., 36 vjeç, banues në Sarandë.

“Në vitin 2019, Gjykata për Krimet e Rënda, Tiranë, i kishte caktuar shtetasit A. L., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. 36-vjeçari dhe shtetas të tjerë (të vënë në pranga gjatë megaoperacionit ndërkombëtar “Brezi i Gjelbër”), të organizuar si grup kriminal, trafikonin përmes kufirit të gjelbër me Greqinë, lëndë narkotike”- ka njoftuar Policia e Shtetit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.