Foto: Policia e Kosovës

Arrestohen tre persona për prerje dhe vjedhje të drunjve në Kaçanik (FOTO)

Stacioni policor në Kaçanik ka arrestuar tre persona që kishin qenë duke prerë drunj në bjeshkët e Kaçanikut.

Arrestimi i të dyshuarve erdhi gjatë aksionit të planit operativ “Mbrojtja e pyjeve 2021” lidhur me prerjen e pyjeve, transportin dhe shitjen ilegale të drunjve.

Policia përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në kuadër të këtij aksioni janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e drunjve dhe mjetet me të cilat janë transportuar këta drunj.

Ndërsa, në stacionin policor në Kaçanik janë dërguar personat me inicialet, M.L  i moshës 34 vjeçare, XH.R i moshës 36 vjeçare dhe Q.R i moshës 26 vjeçare, të cilët pasi janë intervistuar nga policia, me vendim të prokurorit të Prokurorisë në Ferizaj, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.