Ilustrim

Arrestohen për kërcënim dy të dyshuar në hyrje të Prishtinës

Dy persona janë arrestuar gjatë ditës së sotme në lidhje me një kanosje ndaj një personi tjetër.

Sot rreth orës 11:00 policia ka marrë informata se në rrugën magjistrale Prishtinë – Ferizaj, një person i dyshuar nga një veturë ka kanosur një person dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka organizuar një operacion të shpejtë për lokalizimin e veturës si dhe identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Zëdhënësi i policisë Agron Borovci tha për KALLXO.com se policia ka arritur të arrestojë dy të  dyshuar.

“Kësisoj vetëm pak minuta më vonë policia ka arritur që në hyrje të Prishtinës ta ndaloj veturën e dyshuar si dhe të arrestoj dy të dyshuarit A. D., 33 vjeç, mashkull, shtetas i Kosovës, si dhe N. B, 41 vjeç, mashkull, shtetas i Kosovës”, tha Borovci.

Ai shtoi se pasi është bërë arrestimi i të dyshuarve , policia ka bërë një kontrollë të detajishëm edhe të dyshuarve edhe veturës me ç’rast ka gjetur dhe sekuestruar, nje revole, një karikator, 32 fishekë.

Policia bashkërisht me prokurorin e shtetit kanë bashkërenduar veprimet hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të rastit, për të proceduar edhe më tej të njëjtin.